Në Tregan, ku sezoni i turizmit kurativ po i afrohet fundit, ritmi mbetet i pandryshuar: kapacitete të tejmbushura, kërkesë e lartë dhe një rritje e qëndrueshme e fluksit të vizitorëve. Ky është një tregues i qartë i potencialit të kësaj zone dhe i rëndësisë që ajo ka për zhvillimin rajonal të Elbasanit.
Gjatë vizitës së sotme në Hotel Miza, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se:
“Tregani është një nga asetet më të vlefshme që kemi në zhvillimin e turizmit kurativ dhe gjithëvjetor. Fluksi në rritje i vizitorëve tregon se investimet dhe vëmendja ndaj kësaj zone po japin rezultat. Prioritet ynë mbetet përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e bizneseve familjare dhe promovimi i potencialeve natyrore që ofron kjo zonë.”
Vizitorë nga i gjithë rajoni – Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut – zgjedhin Treganin për cilësinë e ujërave termale , mikpritjen e ngrohtë, çmimet e favorshme dhe natyrën e paprekur që e rrethon .
Tregani është pjesë e “Paketës së Maleve”, një nismë strategjike që synon të forcojë investimet në turizmin malor, atë kurativ dhe format e tjera të turizmit gjithëvjetor.
Kjo zonë është shembulli më i mirë i ndërthurjes së produkteve vendase, agroturizmit dhe turizmit shëndetësor, duke sjellë zhvillim ekonomik të qëndrueshëm për komunitetin lokal .
Bashkia Elbasan ka në fokus investimet në infrastrukturë, në bizneset lokale dhe në promovimin e turizmit shëndetësor, si mënyra më e mirë për të garantuar rritje ekonomike dhe më shumë mundësi punësimi për banorët e zonës .
Siç theksoi kryetari Llatja:
“Turizmi kurativ nuk është vetëm një pasuri natyrore – është një motor i fuqishëm ekonomik që duhet mbështetur dhe zhvilluar më tej.”
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.