Llatja: Vijon puna për transformimin e infrastrukturës rrugore në çdo zonë të Elbasanit

Bashkia Elbasan vijon me intensitet punimet për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në të gjitha lagjet e qytetit, me fokus të veçantë tek rajoni nr. 1, ku po ndërhyhet në rrugicat dhe hapësirat që kanë pasur nevojë prej vitesh për rikonstruksion.

Në këtë zonë po realizohen punime të zgjeruara për asfaltim, ndriçim publik, trotuare dhe sistemim të kanalizimeve, me qëllim që rrugicat të bëhen më të aksesueshme dhe me standarde bashkëkohore për të gjithë banorët.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, z. Gledian Llatja, theksoi se transformimi i infrastrukturës është një ndër prioritetet kryesore të bashkisë:

“Po punojmë që çdo lagje e qytetit të ketë infrastrukturën që meriton. Rrugicat, ndriçimi, uji dhe kanalizimet janë bazë e jetës urbane dhe po i trajtojmë me prioritet, veçanërisht në zonat që kanë qenë të neglizhuara për vite me radhë. Elbasani po ndryshon dita-ditës dhe ky transformim do të ndihet në çdo cep të qytetit.”

Banorët e zonës kanë përshëndetur ndërhyrjet, duke theksuar se punimet do të sjellin lehtësira të ndjeshme në lëvizje dhe do të rrisin cilësinë e jetesës.

Ky projekt është pjesë e programit të gjerë të transformimit urban që Bashkia Elbasan po zbaton në të gjitha rajonet e qytetit, për të ndërtuar një Elbasan më të bukur, më të gjelbër dhe më funksional për qytetarët.