Në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja e Qarkut të Elbasanit, Sara Mila solli një copëz nga Labinot Mali, duke ndarë me kolegët gështenjat tradicionale të zonës, të njohura për cilësinë dhe shijen e tyre të veçantë.
Ky gjest simbolik erdhi vetëm pak ditë pas Festës së Gështenjës në Labinot Mali, një traditë që tashmë është kthyer në një aktivitet të rëndësishëm kulturor dhe turistik, që promovon produktet vendase dhe pasurinë natyrore të zonës.

Deputetja Mila theksoi se si përfaqësuese e kësaj zone, ndjen kënaqësi dhe përgjegjësi të veçantë për të promovuar çdo vlerë, produkt e traditë që e bën Labinotin unik. Në materialin shoqërues që u shpërnda bashkë me gështenjat, ajo ftoi kolegët parlamentarë të vizitojnë zonën, të njohin nga afër njerëzit, shijet dhe natyrën e saj të mrekullueshme.
“Është bukur kur politika kalon përtej sallës së Kuvendit dhe bëhet një urë që na lidh me vendet dhe njerëzit që përfaqësojmë. Labinot Mali është një prej tyre – i bukur, autentik dhe plot jetë. Jam e lumtur që gjurmët e tij shkuan simbolikisht deri në tryezën tonë të përbashkët, si një fillim i vogël për zhvillimin që i duhet zonës,” – u shpreh Mila.
Ky moment miqësor u prit me vlerësim dhe fjalë të ngrohta nga kolegët e grupit, duke sjellë një atmosferë pozitive dhe bashkëpunuese në prag të seancës plenare.

ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.