Parakalime të gabuara dhe të dehur në timon, Rrugorja e Elbasanit: 20 të arrestuar dhe 7 mijë gjoba vetëm gjatë tetorit

Policia Rrugore e Elbasanit ka vijuar monitorimet në të gjitha akset e qarkut, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe përmbushjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Përmes një njoftimi për mediat bëhet me dije se vetëm muajin që lamë pas, 20 shoferë janë arrestuar dhe 10 të tjerë do të hetohen në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi ose nën efektin e alkoolit.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur 7,475 gjoba për shkelje të Kodit Rrugor, përfshirë parakalime të gabuara, të dehur në timon, përdorim i celularit etj.

Gjatë muajit tetor, janë intensifikuar kontrollet, duke u fokusuar tek drejtuesit që përdorin automjetet në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në lejen e qarkullimit (nga përdorim vetjak në transport pasagjerësh), si edhe tek ata që drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo pa leje drejtimi.

Gjatë kësaj periudhe, janë arrestuar 22 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 10 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi ose nën efektin e alkoolit.

Po ashtu, gjatë muajit tetor janë ndëshkuar administrativisht:

357 drejtues mjetesh për drejtim pas përdorimit të pijeve alkoolike;

1363 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara;

1365 drejtues automjetesh për mosvendosjen e rripit të sigurimit;

445 drejtues motomjetesh për mosvendosjen e kaskave mbrojtëse;

1426 drejtues mjetesh për shpejtësi mbi normat e lejuara;

728 drejtues mjetesh për përdorim të celularit;

639 drejtues automjetesh për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore;

1152 drejtues mjetesh për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore e Elbasanit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.