Qeveria po planifikon të marrë masa të reja sa i takon projektimit të Infrastrukturës së Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve konkretisht në zonën e mbetjeve Fier dhe atë Elbasan, dy rajone ku më herët zunë vend projektet e inceneratorëve.
Një procedurë prokurimi e çelur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara këtë të hënë me një fond limit 66 milionë lekë apo 660 mijë euro për dy lotet në fjalë parashikon pikërisht këtë plan.
Referuar termave të referencës që shoqërojnë këtë procedurë në hyrje të tyre nënvizohen edhe planet sa i takon infrastrukturës.
“Ky dokument paraqet një set të detajuar të Termave të Referencës (ToR) për realizimin e projekteve të zgjerimit të landfillit ekzistues rajonal të Zonës së Mbetjeve Fier, ndërtimit të impianteve për mbetje inerte, kapsulimit të landfilleve ekzistuese, krijimit të impianteve për rekuperimin e materialeve (MRF), si dhe ndërtimit të landfilleve për mbetje të riciklueshme shtëpiake, përfshirë në të dhe një Njësi për Mbetjet Industriale dhe të Rrezikshme. Dokumenti është konceptuar për të udhëhequr procesin e projektimit dhe implementimit të këtyre ndërhyrjeve në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare dhe kërkesat e BE-së,” thuhet në dokument. Në fund të tij parashikohet që kostoja e ndërtimit të jetë rreth 7.4 milionë euro.
I njëjti parashtrim bëhet edhe në hyrjen e termave të referencës për zonën e Elbasanit, por këtu kostoja është pak më e lartë.
“Duke ju referuar VKM nr. 354, datë 11.05.2016, ‘Për miratimin e Manualit të tarifave për shërbime në planifikim territori, në projektim, mbikëqyrje dhe kolaudim’, llogaritja e fondit limit është bërë si më poshtë vijon: Vlera e ndërtimit në euro pa TVSH 8,012,737.46 euro – kosto e llogaritshme. Vlera e ndërtimit pa TVSH 785,248,271.08 lekë – kosto e llogaritshme e objektit/ve në të cilën përmblidhen vetëm punime civile ndërtimore dhe shërbime, pa përfshirë vlerën e pajisjeve dhe të makinerive. Vlera e ndërtimit me TVSH 942,297,925.296 lekë (kosto e llogaritshme me TVSH),” thuhet në dokument.
Projektet janë një llogaritje fillestare dhe ato do të duhet të kalojnë oponencën teknike.
Menaxhimi i mbetjeve në vend ka pasur një politikë jo shumë të qartë, teksa pak vite më parë pati një përqendrim me projekte drejt incenerimit. Si landfillet ashtu edhe incenerimi mund të jenë plotësues të njëri-tjetrit, edhe pse plotësisht të ndarë në operim, por synimi është që në incenerim të shkojnë mbetjet që nuk mund të riciklohen, duke ulur volumet në landfille./monitor
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.