Fenomeni që po tërheq Elbasanin, Diallo: Gola për ekipin, e mundim Tiranën për tifozët

Fitorja me Bylisin, edhe pse e vuajtur erdhi pikërisht në momentin kur skuadra e Elbasanit kishte më shumë nevojë. Tri rezultatet negative radhazi, mes të cilëve një barazim dhe dy humbje, bënë që të humbnin ndjeshëm terren me kreun.

Gjithsesi, ky tri pikësh i mban ende lart në renditje dhe mbi të gjitha rikthen besimin në kampin elbasanas. Ashtu siç ka ndodhur zakonisht gjatë këtij sezoni, ndeshja u zgjidh me dy episode që u shfrytëzuan shumë mirë nga Ibrahima Diallo, një gol nga goditja e dënimit dhe tjetrin nga pika e bardhë e penalltisë që e fitoi po vetë.

DIALLO – Elbasani ka gjetur tek Ibrahima Diallo jo vetëm një golashënues, por edhe një lider të heshtur. Sulmuesi afrikan po kthehet në simbolin e rikthimit të verdhebluve, duke treguar se pas çdo vështirësie, Elbasani ka forca të reagojë. Pas ngërçit në kampionat, ishte pikërisht Diallo ai që mori përsipër të rikthente buzëqeshjen, duke realizuar një dopietë vendimtare në fitoren 2-1 ndaj Bylisit. Pas përfundimit të takimit, sulmuesi u shfaq modest dhe i përulur në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, duke mos e parë shumë aspektin personal, ku primare sipas tij, është gjithnjë skuadra.

“Normalisht që jam i lumtur për golat e shënuar, por më shumë jam për skuadrën që arriti të fitojë ndeshjen. Vinim pas dy humbjesh në kampionat dhe kërkohej reagim. Jam i kënaqur, sepse ekipi tregoi karakter dhe luajti si një grup i bashkuar. Golat janë për skuadrën, për shokët e mi, për tifozët që na mbështesin çdo javë”, u shpreh fillimisht sulmuesi i krahut i Elbasanit.

ECURIA –  Diallo ka qenë i aktivizuar në pesë ndeshje këtë sezon, pasi në tri të tjera mungoi për shkak dëmtimi. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar të shënojë tri gola, një mesatare mbresëlënëse për minutat që ka në këmbë. Për më tepër, në të pesë takimet ku ka luajtur, është përzgjedhur në formacionin ideal të javës, ndërsa në tri prej tyre është shpallur “Lojtari i ndeshjes”.

Një tregues që e vendos mes më të spikaturve të kampionatit. Diallo, nga ana tjetër, nuk kërkon lavdi personale, por sukses kolektiv: “Unë dua vetëm të ndihmoj skuadrën time që të arrijë objektivat. Golat kanë një tjetër kuptim kur sjellin fitore. Kjo është ajo që më motivon çdo ditë. Kemi një grup të bashkuar, me djem që japin maksimumin. Jam i lumtur të jem pjesë e këtij projekti dhe të ndihmoj Elbasanin të qëndrojë aty ku i takon”, vijoi më tej 22 vjeçari.

TIRANA – Afrikani pranon se skuadra është e përqendruar maksimalisht në çdo ndeshje, pa bërë dallime midis kundërshtarëve. Ndeshja me Tiranën vjen shpejt dhe ai e di rëndësinë e saj, jo vetëm për skuadrën, por edhe tifozët. “Për ne, çdo takim është një sfidë e madhe. I japim rëndësi maksimale çdo ndeshjeje, sepse duam të marrim më të mirën. Duke parë rëndësinë morale që kishte fitorja ndaj Bylisit, kjo na jep besim për vazhdimin. Për ne dhe për tifozët, çdo ndeshje është si një derbi i vogël, një betejë ku duhet të japim gjithçka. Ndaj Tiranës do të hyjmë në fushë për të dhënë dhe marrë maksimumin”, mbylli prononcimin e tij për gazetën senegalezi që është kthyer në lojtarin kryesor të verdhebluve dhe Ivan Gvozdenoviçit në fazën ofensive.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL