Një nga institucionet më të njohura arsimore në qytetin e Elbasanit, Gjimnazi “Dhaskal Todri”, do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë brenda vitit 2025. Ky është një investim i shumëpritur nga nxënësit, mësuesit dhe prindërit, që do të sjellë ndryshime rrënjësore në kushtet e mësimdhënies dhe në cilësinë e arsimit.
Sipas projektit, ndërhyrja do të përfshijë rindërtimin e plotë të ambienteve mësimore, sistemet e ngrohjes dhe ndriçimit, si dhe pajisjen e klasave me infrastrukturë moderne, në përputhje me standardet bashkëkohore të arsimit.
Aktualisht në gjimnaz mësojnë 607 nxënës dhe japin mësim 42 mësues, të cilët shumë shpejt do të kenë në dispozicion një mjedis më funksional, më të sigurt dhe më frymëzues për procesin mësimor.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, theksoi rëndësinë e këtij investimi duke u shprehur:
“Gjimnazi ‘Dhaskal Todri’ është një emër me histori në arsimin elbasanas dhe shqiptar. Me këtë rikonstruksion po i japim jo vetëm godinës një pamje të re, por po investojmë në të ardhmen e qytetit, tek nxënësit tanë. Synimi ynë është që çdo shkollë e Elbasanit të ketë kushte dinjitoze, ashtu siç e meritojnë fëmijët tanë.”
Ky projekt vjen si pjesë e programit të gjerë të investimeve në infrastrukturën arsimore, që Bashkia Elbasan ka nisur në bashkëpunim me qeverinë, me qëllim modernizimin e shkollave dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit publik në të gjitha nivelet.
Një tjetër hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Elbasanit drejt një arsimi cilësor, modern dhe gjithëpërfshirës!