Këshilli Bashkiak i Elbasanit miraton vlerën mesatare të qirasë.
Llatja thirrje qytetarëve: Aplikoni deri në 3 nëntor.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Elbasanit u miratua pika për miratimin e vlerës së qirasë mesatare të shtresave të banesave në tregun e lirë dhe vlerës maksimale të subvencionit të qirasë për vitin 2026.
Kjo nismë synon të mbështesë familjet në nevojë për strehim, të cilat nuk mund të përballojnë pagesën e qirasë në tregun e lirë, si dhe shtresat vulnerabël që përfitojnë nga skema e bonusit të qirasë.
Gjatë diskutimit, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u bëri thirrje të gjitha familjeve që janë në nevojë të përfitojnë nga kjo mundësi:
“U bëj thirrje të gjitha familjeve, nxitoni të aplikoni pasi në datë 3 nëntor është dita e fundit e aplikimeve për skemën e bonusit të qirasë.
Kjo është një nga skemat e cila u vjen në ndihmë familjeve në nevojë, grave të dhunuara, të divorcuara, atyre që janë në vështirësi ekonomike apo shtresave të ndryshme vulnerabël, por edhe familjeve që për një arsye apo tjetër u është prishur banesa e tyre pa mundësi legalizimi dhe kanë nevojë për një banesë të tyre apo një banesë private.”
Llatja nënvizoi rëndësinë e aplikimeve brenda afatit të përcaktuar, duke theksuar se qiratë do të jenë me vlerën mesatare të tregut:
“Dua t’u bëj apel të gjitha familjeve që duan të aplikojnë në këtë skemë që të aplikojnë deri në tre nëntor. Qiratë janë me vlerë mesatare të tregut.
Projektvendimi për garsoniere është 10 mijë lekë në muaj, apartament 1+1 me 10 mijë lekë të vjetra, 2+1 me 12 mijë lekë dhe 15 mijë lekë të vjetra për apartamentet 3+1. Këto janë çmimet që po miratojmë sot për mbështetjen e familjeve për bonusin e qirasë.”
Në fjalën e tij, kryetari Llatja solli edhe të dhëna konkrete për ecurinë e skemës.
“Deri tani kemi 200 aplikime që po bëhen gati nga familjet që kanë aplikuar në këtë skemë. Vitin e kaluar janë miratuar 309 familje të cilat janë kualifikuar. Dokumentacioni dhe kërkesat ligjore janë të qarta.
Familjet që nuk kanë mundësi të paguajnë tregun me qira janë të gjitha të lutura të aplikojnë, pasi vit pas viti janë miratuar të gjitha ato që kanë aplikuar. Janë 315 kuota të lira, ndaj i bëj thirrje që të aplikojnë.”