100 ton prodhim në vit, fermerët e patates në Stëblevë ankohen: Nuk kemi treg

Zona e Stëblevës në Librazhd prodhon mbi 100 ton patate çdo vit, duke e bërë zonën një nga prodhueset më të mëdha në rajon.

 “Patatja e Stëblevës është e njohur për vlerat e saj, dhe e gjithë zona e prodhon pataten në mënyrë bio, pa asnjë lloj pesticidi. Megjithatë, çmimi i ulët dhe mungesa e një pike grumbullimi e vështirësojnë punën e fermerëve. Ata kërkojnë që të merren masa jo vetëm për rritjen e çmimit, por edhe për krijimin e një pike grumbullimi, gjë që do t’i ndihmonte ata të tregtojnë pataten e tyre në mënyrë të rregullt,” – shprehet Edlira Xherri, gazetare e Euronews Albania.

“Shumë e mirë, e shkëlqyer. Sivjet nuk pati asnjë sëmundje, as vrug. Sivjet na ka pa Zoti, ja shiko kokrrën. Sa mund të bëhet kjo patate? Për mundin e shoh unë, që jam bërë terr, që kur e mbjell e deri kur e shkul. Mjerë kur do ta shes! Unë do vuaj. Deri kur ta shes, se nuk e di çfarë çmimi do të marrë kjo patate. Është krejt puna te shitja, sepse herë pas here mundi ynë shkon kot. Pse? Çmimi i ulët nuk më leverdis ta shes këtë patate sot me 40 lekë. Nuk më leverdis, sepse nuk më nxjerr as për punimin, plehrimin me pleh organik, që vetëm makina do 30 mijë lekë ta sjellë nga shtëpia këtu. Sa vite kemi marrë këtë punë? Gjithë jetën. Kemi pasur raste që i kemi hedhur edhe ne patatet,” – tha Sanije Toci, fermere.

“Është cilësore dhe e shijshme, sepse ne nuk përdorim plehra kimike. Ka vetëm organik. Ja, humusi është gjithë. Sepse ne kemi bagëti dhe plehun e sjellim këtu detyrimisht; nuk përdorim helmicide fare, prandaj ka shije kjo patate. Vjen tregtari dhe thotë: ‘E dua 40 lekë pataten’, por neve s’na del leverdia me 40 lekë, sepse ka shumë shpenzime. Sa prodhim ke bërë këtë vit? Unë sivjet parashikoj 15 ton. Prodhim ka, është shumë i mirë,” – shprehet Ferit Hasa, fermer.

Megjithatë, problemet nuk mbarojnë te çmimi i ulët. Fermerët përballen edhe me sfida të tjera në treg.

“Futja e patates nga jashtë na ndikon shumë. Na prish punë. Shteti nuk duhet të fusë patate pa shitur prodhimin e vendit, prandaj kështu braktiset bujqësia,” – shprehet Sanije Toci, fermere.

“A keni mungesë pike grumbullimi? Nuk ka pikë grumbullimi. E kemi ngritur disa herë që të ketë një pikë grumbullimi. Është shumë e mirë për zonën tonë, se e çojmë aty dhe çmimi ngrihet. Pse nuk ka pikë grumbullimi? Tregtari thotë: ‘Aq sa të më lë dëmi, unë e marr kilogramin’,” – shprehet Sanije Toci, fermere.

Për shkak të cilësisë së lartë, ky prodhim duhet ta kishte të garantuar tregun, por realiteti tregon të kundërtën, me dhjetëra fermerë që presin ndërhyrjen e autoriteteve për garantimin e tregut, stabilitetin e çmimit dhe krijimin e një pike grumbullimi.