Një pikë nga nëntë të mundshme e ka futur zyrtarisht Elbasanin në një krizë rezultatesh, duke bërë që skuadra të humbasë ndjeshëm terren me kreun e renditjes.
Situata është bërë edhe më shqetësuese pas humbjes së fundit me Vorën, e cila ka lënë një shije të hidhur te verdheblutë, sidomos për mënyrën si erdhi dhe faktin që ndodhi në shtëpi, në “Elbasan Arena”. Nëse barazimi me Teutën dhe humbja ndaj Vllaznisë mund të përtypeshin deri diku, për shkak të vlerës së kundërshtarëve dhe rrethanave të ndeshjeve, disfata me Vorën ka qenë një sinjal alarmi që nuk mund të neglizhohet. Skuadra u përmbys brenda pak minutash dhe la përshtypjen e një ekipi pa stabilitet, që humbet kontrollin sapo përballet me vështirësi. Për një ekip që ka objektiva të qarta për kreun, kjo është një goditje e fortë që kërkon reflektim të menjëhershëm.
ANALIZA – Për këtë arsye, pritet të zhvillohet një analizë e thellë në skuadër, për të kuptuar se çfarë po shkon keq dhe ku po humbet ekuilibri që Elbasani kishte në javët e para të kampionatit. Burime pranë klubit bëjnë me dije se analiza nuk do të kufizohet vetëm në aspektin teknik, por do të përfshijë edhe drejtuesit më të lartë të klubit, të cilët duan të kenë një tablo të qartë mbi gjendjen aktuale. Në këtë analizë pritet të shqyrtohet me kujdes jo vetëm performanca e përgjithshme e ekipit, por edhe angazhimi individual i çdo lojtari. Nuk përjashtohet që t’u “tërhiqet veshi” disa futbollistëve që nuk kanë qenë në nivelin e kërkuar, qoftë për përqendrim, qoftë për shpirt gare. Stafi beson se skuadra ka cilësi dhe mundësi shumë më të mëdha nga sa ka treguar, por mungon vazhdimësia dhe reagimi në momentet kyçe të lojës. Në këtë kuadër, pritet që trajneri dhe stafi i tij të paraqesin një raport të detajuar mbi arsyet që kanë sjellë këtë rënie të beftë në rezultatet dhe lojën e skuadrës. Do të kërkohet përgjegjësi e qartë dhe një plan konkret për të ndalur rrëshqitjen.
MASAT – Pavarësisht shqetësimit të madh që ekziston, burime nga klubi pohojnë se për momentin nuk pritet të merren masa drastike ndaj stafit teknik apo lojtarëve. Qasja është të shmanget çdo lloj paniku që mund të përkeqësojë situatën. Në vend të ndëshkimeve, drejtuesit duan të rikthejnë qetësinë dhe përqendrimin te grupi, duke e mbajtur skuadrën të bashkuar në këtë fazë delikate. Megjithatë, fitorja në ndeshjen e ardhshme me Bylisin është kthyer në një detyrim absolut. Në klub janë të vetëdijshëm se çdo rezultat tjetër do ta komplikonte ndjeshëm situatën, duke sjellë pasoja të pashmangshme në hierarkinë e brendshme. Drejtuesit nuk duan që tensioni të shpërthejë, por një tjetër humbje mund të shërbejë si pika e fundit e durimit. Në ambientin e skuadrës është e qartë se Bylisi përfaqëson më shumë sesa një sfidë e radhës, është një test karakteri, për të parë nëse Elbasani ka forcën të reagojë pas tri javësh të errëta dhe të tregojë se ende beson te vetja.