Bashkia Elbasan forcon transparencën dhe pjesëmarrjen qytetare në procesin e buxhetimit për të ndërtuar një qeverisje më transparente dhe bashkëpunuese

Në ambientet e Bashkisë Elbasan u zhvillua një takim i Forumit të Qeverisjes së Hapur (OGP Local) me Sekretariatin e Këshillit Bashkiak, i fokusuar në proceset e konsultimit publik për buxhetin dhe paketën fiskale 2026.

Ky takim vjen në kuadër të angazhimit e të orientuar nga nevojat reale të komunitetit.

Në diskutim morën pjesë përfaqësues të organizatave partnere “Faktoje” dhe “Tjetër Vizion”, të cilët prezantuan gjetjet e monitorimeve shumëvjeçare mbi zbatimin e praktikave të konsultimit publik në nivel vendor. Në këtë takim u diskutuan një sërë rekomandimesh për forcimin e pjesëmarrjes qytetare, rritjen e besimit në institucionet vendore dhe përmirësimin e procedurave të konsultimit në hartimin e dokumenteve buxhetore dhe fiskale.

Në fjalën e tyre, përfaqësuesit e Bashkisë theksuan rëndësinë e një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, ku çdo grup interesi nga bizneset e vogla te të rinjtë, gratë, dhe shoqëria civile, të ketë mundësinë të japë mendimin e vet për prioritetet e zhvillimit të qytetit.  “Qeverisja me pjesëmarrje është thelbësore për ndërtimin e politikave të drejta dhe efektive. Synimi ynë është që zëri i qytetarëve të jetë pjesë e çdo vendimmarrjeje, duke orientuar investimet aty ku komuniteti ka më shumë nevojë,” u theksua gjatë takimit.

Ky aktivitet është pjesë e zbatimit të planit të veprimit të Forumit të Qeverisjes së Hapur në nivel lokal, një nismë ndërkombëtare që promovon transparencën, llogaridhënien dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.

Në vijim, Bashkia Elbasan do të vijojë me një seri takimesh dhe dëgjesash publike në njësitë administrative, për të mbledhur propozime konkrete që do të reflektohen në buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2026.