Cërrik, gara e 9 nëntorit pritet të jetë e nxehtë: tre kandidatë për drejtimin e Bashkisë

Më 9 nëntor, qytetarët e Cërrikut do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesin e ri të Bashkisë, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme vendore. Procesi elektoral pritet të tërheqë vëmendjen e opinionit publik, pasi ndodhet në një nga zonat tradicionalisht të majta të vendit, por këtë herë gara pritet të jetë më e fortë se kurrë.

Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë aktualin kryetar të komanduar, Florenc Doko, jurist në profesion, i cili kërkon të marrë besimin e qytetarëve për të vijuar drejtimin e bashkisë me mbështetjen e mazhorancës.

Nga ana tjetër, opozita hyn në garë e përçarë me dy kandidatura. Partia Demokratike ka vendosur të mbështesë mjekun Amarildo Hoxha, një emër i njohur për angazhimin në shëndetësi dhe çështje sociale në qytet. Ndërkohë, nisma “Shqipëria Bëhet” garon me Eligert Himën, të diplomuar për Kriminologji në Milano, i cili përfaqëson një brez të ri politikanësh me vizion qytetar dhe integrues.

Në një prononcim për median, kandidati Eligert Hima u shpreh se synon të sjellë një frymë të re në drejtimin e bashkisë, duke u fokusuar te transparenca, rinia dhe zhvillimi ekonomik:

 “Cërriku meriton më shumë. Kemi një qytet me potenciale të mëdha që prej vitesh nuk janë vënë në shërbim të njerëzve. Unë besoj se bashkia duhet t’u përkasë qytetarëve, jo interesave politike. Kandidatura ime nuk është e partive, por e shoqërisë – e çdo të riu që kërkon mundësi dhe e çdo familjeje që kërkon dinjitet,” – u shpreh Hima.

Ai shtoi se prioritetet e tij përfshijnë përmirësimin e infrastrukturës urbane, mbështetjen për të rinjtë që duan të hapin biznese të vogla, si dhe rritjen e transparencës në shpenzimin e fondeve publike.

 “Do të jemi bashki e hapur, që dëgjon dhe punon me njerëzit. Nuk kërkojmë pushtet për pushtet, por një administratë që punon me ndershmëri,” – theksoi Hima.

Ndërsa fushata pritet të intensifikohet në ditët në vijim, vëmendja është përqendruar te mënyra se si do të pozicionohen votuesit në një qytet që tradicionalisht ka mbështetur të majtën, por ku pakënaqësitë dhe nevoja për ndryshim mund të luajnë një rol vendimtar.