Gështenjat e Labinot Mal, prodhim i bollshëm këtë vjeshtë – fermerët të kënaqur me vjeljen

Elbasan – Në zonën malore të Labinotit të Malit, vjeshta ka sjellë këtë vit një prodhim të bollshëm gështenjash, duke gëzuar fermerët që prej vitesh kultivojnë këtë frut karakteristik të krahinës.

Falë kushteve të favorshme klimatike dhe kujdesit të vazhdueshëm gjatë vitit, pemët e gështenjës kanë dhënë rendimente të larta, ndërsa cilësia e frutit është vlerësuar si ndër më të mirat e viteve të fundit.

Fermerët e zonës shprehen të kënaqur me prodhimin dhe cilësinë:

 “Këtë vit gështenja ka dalë shumë e mirë, e madhe dhe me shije të ëmbël. Ka pasur bollëk dhe kemi arritur të mbledhim më shumë se vitin e kaluar,” – tregon një nga fermerët e Labinot Malit.

Krahas tregut lokal, një pjesë e prodhimit po shitet edhe jashtë shtetit, ndërsa kërkesa për gështenjat e Labinotit Mal po rritet çdo vit.

Gështenjat e Labinotit Mal po gjejnë përdorim të gjerë në Itali e cila i përdor në pastiçeri dhe kryesisht në prodhimin e çokollatave.

Ky produkt tradicional mbetet një pasuri e natyrës dhe një mundësi e qëndrueshme për zhvillimin ekonomik të zonës malore të Elbasanit.