Lorougnon Doukouo Xhoel nuk është më pjesë e skuadrës së Elbasanit, edhe pse ishte parë si një alternativë e fortë për fazën ofensive të ekipit.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se largimi i lojtarit u bë për shkak të problemeve të dalë nga analizat mjekësore, konkretisht me zemrën. Shqetësimet shëndetësore bënë që drejtuesit e klubit të merrnin një vendim të vështirë për të mbrojtur lojtarin dhe për të shmangur ndonjë incident të mundshëm. Në klubin elbasanas, analizat mjekësore kryhen sipas standardeve më të larta, duke u fokusuar veçanërisht në parametrat kardiovaskularë dhe të përgjithshëm të lojtarëve.
Sipas burimeve të klubit, kjo praktikë ka për qëllim të parandalojë situata të rrezikshme që mund të rrezikojnë shëndetin dhe jetën e lojtarëve. Pas konfirmimit të problemeve me zemrën, klubi dhe lojtari ndërprenë kontratën mes tyre dhe Xhoel, nga Bregu i Fildishtë, mund të konsiderohet zyrtarisht i larguar nga verdheblutë. Ai nuk mori pjesë as në fazën përgatitore me skuadrën në Greqi, duke pritur përfundimin e analizave dhe marrëveshjes për ndarjen e rrugëve.
PERFORMANCA – Xhoel u afrua në Elbasan në muajin janar, duke ardhur nga skuadra e Egnatias. Në fillim, ai u konsiderua një përforcim i rëndësishëm për sulmin, me potencial për të sjellë dinamizëm dhe kreativitet në fushë. Përpara largimit, Xhoel la shenja pozitive me qasjen e tij profesionale dhe angazhimin në stërvitje, duke treguar se edhe për një periudhë të shkurtër mund të ndikojë pozitivisht në grup. Mes Egnatias dhe Elbasanit, ai luajti në 56 takime në Kategorinë Superiore, ku shënoi dy gola dhe dha pesë asiste, duke mbledhur gjithsej 1052 minuta lojë. Ai numëron gjithashtu 11 paraqitje në Kupën e Shqipërisë, ku shënoi një gol. Përveç statistikave, Xhoel u dallua për profesionalizmin, përkushtimin dhe qasjen serioze ndaj stërvitjes dhe ndeshjeve, duke krijuar një atmosferë pozitive mes bashkëlojtarëve dhe stafit teknik. Largimi i tij lë një boshllëk në sulm, por njëkohësisht nënvizon përkushtimin e klubit për shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve.
PRECEDENTI DUAMENA – Kapja në kohë e problemeve kardio-vaskulare nga Xhoel ndoshta ka evituar një tjetër tragjedi të mundshme në futbollin shqiptar, duke kujtuar rastin fatkeq me Rafael Duamenen. Sulmuesi i Egnatias pësoi një kolaps total në minutën e 24-t të ndeshjes me Partizanin para dy sezonesh, duke u rrëzuar në fushë pa ndjenja. Ai mori ndihmën e parë mjekësore dhe u transportua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetonte. Kjo nuk ishte hera e parë që Duamene shfaqte probleme me zemrën. Që në vitin 2019, ai ishte këshilluar të linte futbollin, pas vendosjes së një defribilatori në zemër. Mjekët e paralajmëruan se aktiviteti profesional mund të ishte i rrezikshëm për jetën e tij. Humbja e Duamenes mbetet një nga ngjarjet më tragjike të futbollit shqiptar dhe ka lënë një kujtim të dhimbshëm në komunitetin sportiv.
PANORAMASPORT.AL