Friday , August 22 2025

Klubi më i fuqishëm në Moldavi kërkon mbrojtësin e Elbasanit, verdheblutë nuk e lëshojnë pa 100 mijë euro…

Merkatoja verore ka vendosur në qendër të vëmendjes Bledar Lilën. Mbrojtësi i Elbasanit ka qenë një nga lojtarët më të kërkuar në merkato, duke tërhequr interesin e disa klubeve, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Performanca e tij e qëndrueshme, eksperienca në fushë dhe personaliteti e kanë bërë objektiv të skuadrave që kërkojnë të përforcojnë prapavijën. Sipas burimeve ekskluzive të “Panorama Sport”, ndër të gjithë, më pranë se kushdo për të siguruar shërbimet e tij ka qenë Sherif Tiraspol, klubi më i fuqishëm në Moldavi dhe një emër i njohur në arenën europiane. Në këtë skuadër kaloi pak javë më parë edhe ish-sulmuesi i Elbasanit, Amarildo Gjoni, i cili po shkëlqen me moldavët. Për ditë të tëra, në ambientin e futbollit qarkulloi ndjesia se transferimi ishte çështje kohe, por situata ka marrë një kthesë të papritur dhe ende nuk është mbyllur.

PRAPASKENAT – Sipas prapaskenave të siguruara ekskluzivisht nga gazeta, negociatat kanë qenë të nxehta dhe janë zhvilluar me intensitet. Elbasani ka vendosur qartë se nuk do ta lëshojë Lilën për më pak se 100 mijë euro, duke e konsideruar një nga shtyllat e skuadrës. Sherifi, nga ana tjetër, kishte bërë gati një ofertë prej rreth 70 mijë eurosh. Palët ishin pranë gjetjes së një kompromisi, duke parë mundësinë e një shifre të ndërmjetme që do të kënaqte të dyja anët. Megjithatë, ndryshimi i trajnerit te klubi moldav ka bërë që bisedimet të ngecin papritur. Stafi i ri teknik ka dashur të rishikojë të gjitha objektivat e merkatos, përpara se të jepte miratimin përfundimtar për afrimin e mbrojtësit shqiptar. Pavarësisht kësaj, pista moldave mbetet e hapur dhe deri në mbylljen e merkatos gjithçka mund të ndodhë, sepse interesi për Lilën nuk është fashitur.

GATI PËR ELBASANIN – Ndërkohë, Bledar Lila mbetet për momentin i përqendruar te skuadra e tij aktuale dhe vazhdon të jetë një ndër titullarët e padiskutueshëm të formacionit të drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç. Sezonin e kaluar ai ka treguar stabilitet dhe profesionalizëm, duke udhëhequr mbrojtjen me qetësi dhe siguri. Me shumë gjasa ai do të jetë në fushë ndaj Flamurtarit, por deri në fund të merkatos priten zhvillime, sepse ka interes edhe nga ekipe të tjera jashtë vendit, por që janë stepur për të paguar për momentin kartonin e tij. Nëse Sherif Tiraspol do të kthehet me një ofertë të re dhe më bindëse, apo nëse mbrojtësi do të vazhdojë të udhëheqë prapavijën e Elbasanit, kjo mbetet për t’u parë në ditët e fundit të merkatos.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL