Thursday , August 21 2025

Ndaj Flamurtarit nuk luhet vetëm për pikët, tifozët e Elbasanit duan tjetër thyerje rekordi në stadium

Sezoni i kaluar solli shumë emocione, jo vetëm për skuadrën, por sidomos për tifozët e Elbasanit. Në një kampionat me ulje-ngritje, verdheblutë arritën të thyejnë çdo rekord të mundshëm për sa i përket mbështetjes në tribuna.

Stadiumi “Elbasan Arena” ka mbledhur mbledhur më shumë tifozë në krahasim me stadiumet e tjera të vendit. Ky ishte një mesazh i fortë: dashuria për skuadrën nuk matet me pikët në tabelë. Në disa sfida të veçanta, numri i shikuesve kaloi çdo pritshmëri dhe e bëri klubin verdheblu shembull për gjithë Superioren.

Ishte një “trofe moral” që nuk u ngrit me duar, por u ndje nga zemrat e mijëra tifozëve që nuk e lanë skuadrën vetëm asnjë javë. Tani, me sezonin e ri që nis përballë Flamurtarit, verdheblutë e tribunës kanë një mision të qartë: ta mbajnë për vete “kurorën” e stadiumit më të mbushur. Nuk ka rëndësi si do të paraqitet skuadra në fushë, as sa të fortë do të jenë rivalët. Për ta, beteja e parë është në tribuna. Grupet e organizuara të tifozëve tashmë po mobilizohen, po përgatisin flamujt, banderolat dhe koreografitë.

QYTETI JETON ME FUTBOLLIN – Në Elbasan, futbolli nuk është një aktivitet fundjave, por pjesë e përditshmërisë. Në kafenetë e qytetit, çdo ditë diskutohen lajmet e skuadrës, analizohen blerjet e reja dhe kujtohen historitë e dikurshme. Ish-lojtarët takohen shpesh me të rinjtë që ndjekin skuadrën në çdo ndeshje, duke kaluar brez pas brezi dashurinë për fanellën verdheblu.

Sfida e javës së parë me Flamurtarin nuk do të jetë vetëm për pikët. Do të jetë një test krenarie. Tifozët e Elbasanit e shohin këtë ndeshje si një mundësi për të treguar sërish se janë forca më e madhe jashtë fushe. Për ta, ky është “trofeu” që duhet fituar çdo vit: rekordi i pranisë në stadium. Dhe nëse tribuna mbushet siç pritet, Elbasani do të nisë kampionatin duke e ruajtur “kurorën” e vet: atë të skuadrës me mbështetjen më të zjarrtë në Superiore.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL