Dje përfundoi afati i fundit për bizneset që kishin zënë hapësirat publike pranë trotuareve të Elbasanit, për t’i liruar ato në mënyrë vullnetare. Ky ishte një hap i rëndësishëm në kuadër të aksionit të ndërmarrë nga Bashkia Elbasan për rikthimin e trotuareve në funksionin e tyre natyral për qytetarët.
Prej javësh, strukturat e bashkisë kanë zhvilluar takime dhe ndërgjegjësim me subjektet që kishin shfrytëzuar pa leje hapësira publike, duke i ftuar të bashkëpunojnë dhe respektojnë ligjin. Rezultatet e para janë tashmë të dukshme: qyteti po rimerr frymë, trotuaret po pastrohen nga pengesat, dhe lëvizja e qytetarëve po bëhet më e sigurt dhe më e lirshme.
Aksioni do të vijojë në terren me kontrolle dhe ndërhyrje aty ku bizneset nuk kanë reflektuar. Bashkia Elbasan fton të gjithë subjektet të respektojnë rregullat e bashkëjetesës urbane, për një qytet më të sistemuar dhe më të jetueshëm për të gjithë.