Wednesday , July 2 2025

Elbasan/ 86 familje përfitojnë kredi të butë, miratimi nga Këshilli Bashkiak


Mbledhja e radhës së Këshillit Bashkiak të Elbasanit u fokusua tek pika më e rëndësishme e rendit të ditës, e cila kishte lidhje me miratimin e listës së përfituesve të kredisë së butë për blerjen e banesës.
Në këtë mbledhje u miratuan 86 persona që plotësojnë kriteret ligjore dhe ekonomike për të përfituar nga ky program social, i financuar nga buxheti i shtetit. Programi synon të mbështesë kryesisht familjet me të ardhura mesatare, veçanërisht çiftet e reja, duke u dhënë mundësinë të kenë një banesë të tyre dhe të krijojnë një ambient të qëndrueshëm jetese në qytet.
Në mbyllje të mbledhjes, Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, e cilësoi këtë si një lajm të mirë për qytetin dhe familjet që kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre në Elbasan.
“Është një lajm i mirë që po e rihapim programin e kredisë së butë, një mbështetje e drejtpërdrejtë për familjet që kërkojnë të ndërtojnë jetën e tyre në Elbasan. Kredia e butë u jep atyre mundësinë të kenë një shtëpi të vetën, sipas zgjedhjes së tyre, duke kontribuar edhe në zhvillimin e lagjeve ku vendosen”, tha Llatja.
Është një program që mbështet drejtpërdrejt familjet me të ardhura mesatare, veçanërisht çiftet e reja, duke iu dhënë mundësinë të blejnë një shtëpi dhe të qëndrojnë në Elbasan.
“Ky është një zhvillim social dhe ekonomik pozitiv për qytetin tonë. Kredia e butë ndihmon në uljen e stokut të banesave të pashitura dhe gjallëron lagjet, duke ndikuar në qëndrueshmëri demografike dhe rritje ekonomike”, përfundoi kreu i bashkisë.”