Rajonet italiane po ndërmarrin masa emergjente për të mbrojtur punëtorët nga temperaturat rekord verore.
Lazio, në fillim të qershorit vendosi ndalimin e punës në ambientet e jashtme në kantiere, miniera, ferma dhe vreshta, nga ora 12:30 deri në 16:00, gjatë ditëve me rrezik të lartë nxehtësie, masë që do të zgjasë deri më 31 gusht.
Pas shembullit të Lazios, shumë rajone të tjera kanë ndjekur të njëjtën rrugë. Ndër to, Lombardia, ku presidenti Attilio Fontana pritet të firmosë sot një urdhër me të njëjtat orare dhe masa, por që do të jetë në fuqi deri më 15 shtator dhe do të zbatohet vetëm në ditët me rrezik të lartë për punëtorët që ekspozohen në diell.
Sipas dokumentit zyrtar, ndalimet nuk vlejnë për administratën publike, koncesionarët e shërbimeve publike, kontraktorët e tyre, apo për ndërhyrjet e mbrojtjes civile dhe sigurisë publike. Fontana thekson se prioriteti është mbrojtja e shëndetit të punëtorëve, veçanërisht gjatë orareve të nxehtësisë ekstreme.
Edhe në Emilia-Romagna është miratuar një dokument i ri që përfshin këtë vit edhe punëtorët në magazinat logjistike. Jo ndalim total, por vetëm riorganizim të punës, me fleksibilitet te oraret dhe mundësi për pushim gjatë orëve më të nxehta.
Masa të ngjashme janë marrë edhe në Sicili, Puglia, Umbria, Toscana, Abruzzo, Campania dhe Calabria. Po ashtu, komunat po marrin hapa për të ndihmuar qytetarët, si në Gjenova, ku është vendosur që personat mbi 70 vjeç të udhëtojnë pa pagesë në transportin publik që nga ora 07:30, për të shmangur orët më të nxehta të ditës.
Këto masa janë një përgjigje ndaj intensifikimit të valëve të nxehtësisë, që sipas ekspertëve janë bërë më të shpeshta dhe më të forta për shkak të ndryshimeve klimatike, duke vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve në terren./tvklan.al