Nga Fatmir Popja
Në një moshë kur shumica e fëmijëve janë ende duke zbuluar botën përreth, Kristel Qosja, nga qyteti i Elbasanit ,pa mbushur akoma 9 vjeç, e ka gjetur që tani rrugën e saj drejt artit. E ndjeshme, e talentuar dhe e përkushtuar, ajo po shpalos një potencial të jashtëzakonshëm në disa fusha krijuese, duke filluar nga muzika dhe piktura, e deri te dizajni dhe këndimi.
Hapat e parë të Kristelit në art nisën me pikturën, me të cilën ajo ka gjetur mënyrë për të shprehur vetveten. Aty, Kristel nuk përpiqet të kopjojë realitetin, por të japë ndjesitë e saj në mënyrë të lirë dhe të frymëzuar. Peneli i saj përshkruan jo vetëm forma, por botë të tëra të brendshme, një reflektim i pasurisë së saj imagjinative. Profesorët e saj të pikturës e përshkruajnë si një talent të rrallë, me një sy të mprehtë estetik dhe aftësi të lindura për të kombinuar ngjyra dhe emocione.
Vijoi dëshira e Kristelit për të shprehur veten në art përmes violinës. Në duart e saj të vogla, ky instrument merr jetë dhe shndërrohet në një mënyrë të qetë dhe elegante për të komunikuar ndjenja. Tingujt që ajo krijon janë të mbushur me emocion dhe maturi të pazakontë për moshën, duke treguar një lidhje të thellë shpirtërore me muzikën. Profesorët e violinës theksojnë se ajo ka intuitë muzikore të lindur dhe përthith teknikat me një lehtësi që rrallë shihet.
Emocionet herë pas here e mbysin, duart i dridhen lehtë, por ajo, me ëmbëlsi dhe këmbëngulje, kapërcen çdo pengesë dhe ia del me sukses. Ka marrë pjesë në aktivitete të rëndësishme si “Tinguj Magjikë” dhe “Dita Botërore e Muzikës”, ku ka rrëmbyer duartrokitjet dhe simpatinë e publikut. Performancat e saj janë përshkruar si prekëse, të sinqerta dhe plot sharm fëminor.
Por Kristel nuk ndalet me kaq. Ajo tenton edhe me zërin e saj të pastër dhe të ndjerë të zërë vend në skenën e këngës. Këndimi është një tjetër shtyllë ku ajo mbështetet për të dhënë shpirtin e saj, duke treguar se arti për të nuk ka kufij.

Përveç këtyre prirjeve, Kristel është gjithashtu një dizajnere në shpirt. Me fantazi të pafundme, ajo modelon veshje për kukulla duke përdorur materiale dhe objekte nga më të ndryshmet, duke dëshmuar një sy estetik dhe sens krijues të lindur. Për të, nuk ka rendesi se ku e shpreh veten, herë-herë, në letër, bllok, karton, mur apo telajo. Luan shumë me ngjyrat e ndezura, pasi shprehet se: trasmetojnë jetë, ngrohtësi e dashuri.
Ajo është një vajzë sociale, komunikuese dhe shumë e zgjuar, flet rrjedhshëm anglisht dhe krijon menjëherë lidhje me bashkëmoshatarët apo të rriturit. Mësuesit e saj e përshkruajnë me superlative, si një fëmijë që jo vetëm mëson me pasion, por edhe ndriçon çdo ambient ku hyn me buzëqeshjen dhe mirësinë e saj.

Prindërit e saj janë një shtyllë e fortë e suksesit të Kristelit, duke e mbështetur në çdo hap, duke e inkurajuar të ndjekë ëndrrat dhe duke i ofruar mundësitë për të ndriçuar në rrugën e artit. Mbështetja e tyre është shembull i vërtetë i asaj se si dashuria dhe përkushtimi i familjes mund të ushqejnë një talent të lindur dhe ta ndihmojnë atë të lulëzojë.
Kristel Qosja, vogëlushja elbasanase që po i mahnit të gjithë me talentin e saj në muzikë dhe pikture, që po rritet çdo ditë dhe që, me përkrahjen e duhur, premton të japë shumë në fushën e artit. Ajo është dëshmia më e bukur se dashuria për të bukurën dhe pasioni lindin herët, dhe kur ushqehen, krijojnë mrekulli.

Suksese Kristel është urimi i të gjithëve për vogëlushen e talentuar elbasanase! Me shpresën dhe dëshirën e madhe që një ditë do ta duartrokasim në skenat më të mëdha të botës , elbasanasit ndjejnë krenarinë që kjo vajzë e vogël shqiptare që tani po bën jehonë përmes artit të saj.