Monday , August 18 2025

Elbasani, afrime me pikatore dhe operacioni “fshesa”

Merkatoja e verës në klubin e Elbasanit është aktivizuar më së shumti në dalje, me pesë futbollistë që janë larguar zyrtarisht nga grupi, ndërsa vetëm një emër i ri është prezantuar deri më tani. Faktikisht bëhet fjalë për lojtarë që u ka mbaruar kontrata dhe nuk kanë rinovuar me ekipin, duke dalë në njëfarë mënyre jashtë planeve të Gvozdenoviçit këtë edicion.

Bëhet fjalë për lojtarë që janë larguar nga të gjitha repartet e fushës, si: Razak Abalora në portë, Esin Hakaj dhe Harallamb Qaqi në mbrojtje, Edon Hasani në mesin e fushës dhe Amarildo Gjoni në majën e sulmit. Sakaq, nuk përjashtohet edhe ndonjë largim tjetër, sepse kanë qenë të shumtë ata që nuk kanë pasur hapësira sezonin që lamë pas dhe tani kanë dalë jashtë planeve të klubit, pasi synimet janë që të afrohen futbollistë të tjerë.

ZËVENDËSIME “KOKË MË KOKË” – Deri tani, përveç Martin Janaçek, nuk është zyrtarizuar asnjë afrim tjetër, edhe pse emra janë përfolur shumë gjatë kësaj periudhe merkatoje. Synimi i drejtuesve është që zëvendësimet të bëhen “kokë më kokë”, por deri më tani vetëm porta është siguruar sipas këtij parimi. Ky është parimi mbi të cilin po funksionon merkatoja e Elbasanit, ku nuk lejohet asnjë dobësim strukturor, pavarësisht sfidave të kohës dhe tregut. Drejtuesit janë të vetëdijshëm që pjesëmarrja në elitë kërkon një skuadër konkurruese dhe jo improvizime. Ndaj po punohet në mënyrë sistematike, duke ruajtur balancat në çdo repart. Nëse një mbrojtës largohet, një tjetër me peshë duhet të vijë; nëse një mesfushor shkon tjetërkund, një profil i ngjashëm do ta zëvendësojë. Kjo qasje “kokë më kokë” është bërë strategjia e Elbasanit për të mbajtur të lartë standardin dhe për të mos u kapur në befasi kur kampionati të nisë.

KOHA PO NGUSHTOHET – Stërvitja e parë është parashikuar për datën 1 korrik, ndërsa faza përgatitore jashtë vendit kërkon një grup të plotësuar për të punuar me intensitet dhe qartësi taktike. Drejtuesit e klubit janë vënë nën presion për të përshpejtuar procesin e afrimeve, përndryshe Elbasani rrezikon të humbasë javë të vlefshme për ndërtimin e një skuadre solide. Në një kampionat ku çdo detaj ka rëndësi, Elbasani duhet të kalojë sa më shpejt nga largimet në përforcime.