Thursday , June 26 2025

Largimi nga Egnatia, gati firma e Kasës me Elbasanin

Redi Kasa është një nga emrat që ka dalë në qarkullim në këtë merkato vere, pasi sulmuesi është zyrtarisht i lirë pas ndarjes me Egnatian. Largimi i tij nuk ka kaluar pa u vënë re dhe menjëherë ka ngjallur interes te disa ekipe të Kategorisë Superiore, të cilat janë në kërkim të përforcimeve me eksperiencë dhe cilësi në repartin ofensiv.

Edhe pse sezonin e fundit nuk e pati të lehtë për shkak të disa dëmtimeve që e penguan të kishte vazhdimësi, potenciali dhe klasi i tij nuk janë vënë kurrë në dyshim. Në ndeshjet ku ka qenë i gatshëm, ai ka dhënë sinjale të qarta se mbetet një lojtar që bën diferencën në 30 metrat e fundit. Sezoni i fundit nuk ka qenë ndër më të mirët për Kasën, duke u aktivizuar shpesh si alternativë nga Tetova. Gjithsesi, në 26 ndeshje, ai arriti të japë tri asiste për skuadrën rrogozhinase, duke kontribuar në fitimin e titullit kampion të dytë radhazi.

ELBASANI INTERESOHET – Burime pranë klubit verdheblu konfirmojnë se Elbasani është një nga skuadrat që ka kërkuar informacion konkret për situatën e Redi Kasës. Stafi teknik dhe drejtuesit po analizojnë mundësinë për ta përfshirë në projektin e tyre të sezonit të ri, ku qëllimi është ndërtimi i një grupi me identitet të qartë dhe potencial për të qëndruar fort në Superiore.

Një profil si ai i Kasës i mungon Elbasanit në këtë moment: një lojtar me vizion, me pasimin final dhe aftësinë për të kombinuar në zonat vendimtare. Pavarësisht mungesës së ritmit në disa periudha të sezonit të kaluar, ai mbetet një lojtar që në formë të mirë është i aftë të ndryshojë fatin e një ndeshjeje. Ai luan si në krah ashtu edhe pas sulmuesve, çka në këto momente i bën shumë punë Elbasanit, sepse mund të përdoret nga Gvozdenoviç aty ku ka më shumë nevojë skuadra. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë gjërat, sepse nuk është e lehtë që të shkohet te 23-vjeçari, pasi në lojë janë futur edhe ekipe të tjera.

LUFTË ME KOHËN – Elbasani ndodhet në një garë të hapur jo vetëm me rivalët në merkato, por edhe me kohën. Klubi verdheblu po përpiqet të mbyllë sa më shpejt pjesën më të madhe të afrimeve, në mënyrë që stafi teknik të ketë në dispozicion një grup të plotë që në ditët e para të përgatitjeve. Me nisjen e stërvitjes të parashikuar për në fillim të korrikut, drejtuesit duan të shmangin vonesat në ndërtimin e grupit dhe të nisin punën me një formacion sa më të konsoliduar.

Afati i brendshëm i vendosur nga klubi është fundi i qershorit, periudhë në të cilën synohet të mbyllen negociatat kryesore me lojtarët që janë në shënjestër. Kjo do t’i jepte trajnerit Ivan Gvozdenoviç mundësinë të punojë me qetësi në fazën përgatitore, e cila këtë vit do të zhvillohet jashtë vendit. Elbasani kërkon që përpara nisjes së fazës intensive të ketë të kristalizuar boshtin e skuadrës, për të pasur kohë të mjaftueshme në ndërtimin e automatikave të lojës dhe vendosjen e objektivave realë për sezonin e ri në elitë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL