Friday , June 6 2025

Elbasan/ Shkolla “Fadil Gurmani” po transformohet, punimet po ecin me ritme të larta!

Shkolla “Fadil Gurmani” po përjeton një transformim të plotë. Prej disa javësh, godina e kësaj shkolle është kthyer në një kantier pune, ku investimi i premtuar po merr formë konkrete, duke i dhënë fund pritjes së gjatë për një mjedis të denjë dhe bashkëkohor për nxënësit dhe mësuesit.

Punimet po ecin me ritme të larta dhe çdo ditë sjell një ndryshim të dukshëm: fasada e re po merr jetë, ndërsa brenda ndërtesës janë duke u vendosur instalime të reja elektrike dhe hidraulike, janë rikonstruktuar klasa, korridore dhe ambientet ndihmëse. Njëkohësisht, pritet që shkolla të pajiset me mobilim të ri dhe teknologji moderne, që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor.

Ky projekt është një premtim i mbajtur për komunitetin dhe një dëshmi e vëmendjes që po i kushtohet arsimit dhe kushteve ku rriten dhe formohen brezat e rinj. Shkolla “Fadil Gurmani” nuk është vetëm një ndërtesë, por një vatër kujtimesh, përkushtimi dhe ëndrrash – dhe tashmë ajo po rikthehet në dinjitetin që meriton.