Friday , June 6 2025

Rafting mbi Shkumbin – Lumi tërheq mjaft turistë, destinacion i preferuar i fillimsezonit veror

Lumi Shkumbin, që gjarpëron mes maleve të larta dhe gjelbërimit, është kthyer në një eksperiencë unike për ata që adhurojnë aventurat.

Raftingu nuk është vetëm një sport, por një udhëtim mbresëlënës për bukurinë dhe magjinë që ofron kjo perlë e natyrës. Gjithnjë e më shumë ky vend tërheq një numër të madh turistësh nga e gjithë bota.

Ky sezon, edhe pse në ditët e para të çeljes së tij ka njohur një shtim të turistëve që organizohen në grupe. Me kombësi spanjolle, italiane, gjermane apo franceze, shumë prej tyre zgjedhin të popullojnë çdo ditë lumin Shkumbin.

Një grup prej 42 turistësh spanjollë vizitojnë për herë të parë Shqipërinë, dhe kjo fundjavë i gjen në këtë përvojë unike.

“Jemi duke shijuar gjithçka, nga ushqimet e shijshme tradicionale, bukuritë e egra të natyrës deri te emocionet e forta që ofron çdo kthesë e këtij lumi.“

“Për momentin jemi në Tiranë, na pëlqejnë njerëzit, natyra dhe gatimi është shumë i mirë. Jemi duke u argëtuar dhe natyra është shumë e bukur.“

“Jemi shumë të lumtur që ndodhemi këtu. Mikpritja shqiptare është e mrekullueshme. Jemi duke shijuar natyrën dhe lumin. Është hera e parë që jemi në Shqipëri dhe do të rikthehemi sërish.“

Artur Guni, drejtuesi i një prej guidave, thotë se vendi ynë është kthyer në destinacionin kryesor, ku lumi Shkumbin ka rritur kërkesat për rafting.

“Jemi në vazhdën e promovimit të rrugës Egnatia. Në fakt nuk jemi në rrugë, por në lumë. Lumi Shkumbin është kthyer në një destinacion për rafting dhe ne këtë duam që të promovojmë. Sot jemi me më shumë se 40 spanjollë që vijnë për herë të parë në Shqipëri dhe për herë të parë në Elbasan për rafting. Elbasani ka potencial shumë të lartë për turizmin e aventurës. Kemi alpinizëm, kemi ecje me biçikleta, por dhe parashutizmin, kështu që janë të gjitha këto përveç gastronomisë akoma më të famshme,” shprehet z. Guni.

Ky është vendi ideal për të bërë ushtruar këtë sport që shton adrenalinën, pasi niveli i ujit, moti dhe peizazhet fantastike përgjatë rrjedhës së lumit janë të pakrahasueshme.