Bledar Lila është ndër ata futbollistë që për Elbasanin e këtij sezoni ka dhënë gjithçka kishte nga potenciali i tij. 34 ndeshje të luajtura dhe në të gjitha si titullarë, 24-vjeçari u kthye në “pistonin” e krahut të djathtë për verdheblutë.
Për “Panorama Sport”, peqinasi i skuadrës së Elbasanit flet rreth sezonit që lanë pas, objektivat personalë, pengjet dhe atë që i pret sezonin në vijim. “Ky sezon për ne ka qenë pozitiv, duke marrë parasysh që është viti i parë në Superiore. Ndonëse në fund nuk arritëm objektivin që ne kishim ‘Final 4’, por ka qenë një sezon me ulje-ngritje dhe të gjithë si grup kemi treguar karakter dhe forcë deri në ndeshjen e fundit. Mendoj se me pak fat mund të arrinim objektivin tonë”, u shpreh fillimisht autori i një goli për verdheblutë këtë edicion.
SEZONI I ARDHSHËM – Më e rëndësishme është ajo që i pret përpara, ku pritet të jetë një sezon edhe më i vështirë. Ai beson se sërish skuadra do të jetë në luftë për vendet e para, duke qenë edhe më të pjekur. “Mendoj se sezonin e ardhshëm do të jetë akoma më i fortë kampionati, sepse të gjithë ekipet do të bëjnë përforcime. Shtojmë këtu edhe dy ekipet që u futën këtë vit në Superiore, të cilat do të luftojnë për objektivat e veta. Sa i përket ekipit tonë, çdo lëvizje do të shihet në vazhdim, sepse merkato do të jetë e hapur dhe besoj se edhe ne do të konkurrojmë për vendet e para. Boshti pothuajse është krijuar dhe me pak përforcime do të jemi në luftë për vendet e para në renditje”, vijoi më tej Bledar Lila.
ASPEKTI PERSONAL – 24- vjeçari është nga ata që nuk kënaqet asnjëherë me veten e tij, duke kërkuar gjithnjë më shumë. Paraqitjet e tij kanë rënë në sy të ekipeve jashtë vendit, por për momentin peqinasi është nën kontratë me Elbasanin. “Sa i përket aspektit personal, ndihem shumë mirë këtu dhe që në momentin kur i jam bashkuar ekipit, e dija se kam bërë mirë që kam ardhur këtu. E them këtë, sepse, nëse një ekip si Elbasani me projekt afatgjatë dhe me njerëz seriozë që punojnë për këtë klub të kontaktojnë, mendoj se është mundësi e mirë për këdo që të mund të shfaqë veten sa më mirë. Në aspektin personal, kurrë nuk dua të kënaqem (qesh). Edhe pse ka qenë një sezon pozitiv për mua, sërish kërkoj akoma më shumë nga vetja. Kam pasur disa oferta për jashtë Shqipërisë, por momentalisht jam nën kontratë këtu dhe është klubi që vendos për çdo gjë”, pohoi mbrojtësi i Elbasanit.
PENGU – Si të gjithë, edhe ai e ka një peng që është i ngjashëm me të gjithë në Elbasan: ndeshja e fundit me Partizanin. “Të them të drejtën, me ka mbetur pishman ndeshja e fundit me Partizanin që nuk arritëm objektivin tonë, sepse do të ishte një sukses për klubin në radhë të parë, i cili për katër vite ka ecur me këto hapa që askush nuk e ka bërë më parë. Nga ana tjetër, edhe për ne lojtarët do të ishte një shans i mirë të luanim në ‘Final 4’, kur edhe do të provonim deri në fund të dilnim kampion. Gjithashtu, edhe ndeshjet e Europës do ishin një plus i madh për të gjithë për të rritur secilin vlerën e vet dhe për të treguar cilësitë personale”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Bledar Lila.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL