Monday , May 12 2025

Në plane ishin liderët e skuadrës, Elbasani i Gvozdenoviçit nis nga dyshja Lleshi-Azemoviç

Mbyllja shumë herët e kampionatit dhe startimi i tij në fundin e muajit gusht, ka bërë që pauza të jetë shumë e gjatë, duke detyruar ekipet të mos i mbyllin përgatitjet pas përfundimit të kampionatit. E tillë është situata edhe në Elbasan, me ekipin që do të qëndrojë në aktivitet deri më 23 maj për të marrë më pas edhe pushimet dhe i rinisur përgatitjet më 30 qershor.

Gjithsesi, gjatë kësaj periudhe është duke u menduar edhe për merkaton që do të bëhet, ndonëse afrimet më të rëndësishme do të jenë ato brenda grupit. Bëhet fjalë për futbollistët që për shkak të dëmtimeve nuk u bënë dot protagonistë fare ose aq sa duhet, me shpresën që sezoni i ri t’i gjejë ndryshe.

AZEMOVIÇ – Rasti më tipik dhe fatkeq i një lojtari që nuk bëri dot debutimin një sezon është ai i Emir Azemoviç. Serbo-malazezi ishte një ndër afrimet më të rëndësishme të elbasanasve në merkaton e verës për në mbrojtje, por një dëmtim i rëndë në stërvitje, duke e detyruar të kryejë edhe një operacion, e la atë gjithë sezonin jashtë fushe. 28-vjeçari nuk e bëri dot debutimin me verdheblutë, duke e lënë për sezonin e ardhshëm.

Kur ka ardhur vitin e kaluar tek Elbasani, ka qenë lojtari me vlerën më të shtrenjtë në skuadër prej 500 mijë eurosh, por mungesa e tij në fushë ka bërë që tani të vlejë 200 mijë euro, sipas ‘transfermarkt’. Me pak fjalë, bëhet fjalë për një nga lojtarët më të rëndësishëm të Elbasanit dhe rikthimi i tij në fushë është një afrim në merkato. Aktualisht, ai po vijon stërvitjen me ekipin dhe kur të startojë kampionati, pritet të jetë në formën e vet maksimale. Azemoviç është një futbollist që luan në qendër të mbrojtjes dhe do të shtojë rivalitetin në këtë repart.

LLESHI – Një blerje e rëndësishme në merkaro mund të konsiderohet edhe sulmuesi Arsen Lleshi. Bomberi pësoi një dëmtim të rëndë në ndeshjen me Dinamon, duke e mbyllur sezonin që në datën 19 janar 2025 dhe duke mos qenë i gatshëm për pjesën më të rëndësishme të sezonit. Fati i tij i keq, sepse dëmtimi erdhi kur kapi formën e tij maksimale, duke e mbyllur kampionatin me shtatë gola dhe duke qenë njëkohësisht golashënuesi më i mirë i skuadrës.

E nisi sezonin si një alternativë në sulm, sepse Roberto Bordin nuk e preferonte, por me uljen në stol të Ivan Gvozdenoviç fitoi vendin e titullarit. Për sezonin e ardhshëm, pritet që të jetë ai pika e referimit në sulm dhe për fat të mirë rikuperimi po ecën me ritmin e duhur. Vlera që ka në treg është 150 mijë euro, ku ndikoi shumë dëmtimi i rëndë për të mos iu rritur. Ai luajti 14 ndeshje dhe shënoi 7 gola, me 558 minuta në këmbët e tij, vetëm për ndeshjet e kampionatit. Ai shënoi edhe golin e dytë në kupë, ku eliminuan Teutën dhe u kualifikuan në çerekfinale të këtij kompeticioni.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL