Projekti i Ivan Gvozdenoviç në krye të Elbasanit vazhdon edhe për sezonin e ardhshëm, me teknikun që tani do të ketë mundësinë ta marrë skuadrën nga fillimi.gvozdenovicNë intervistën e dhënë enkas për “Panorama Sport”, kreu i pankinës elbasanase zbulon se nuk ishte e vështirë arritja e marrëveshjes, pasi dëshira e të dyja palëve ishte të vazhdonin më tej. Nuk dëshiron që të nxitohet për sezonin e ardhshëm dhe të shpalosë objektiva, por me një eksperiencë më shumë mbi supe, sigurisht që Europa do të jetë minimumi. Sipas serbit, i takon klubit të flasë më herët për këtë çështje. Në fund, Gvozdenoviç thekson se ende nuk e ka harruar humbjen me Partizanin, ku më së shumti i vjen keq për tifozët.
Mister, si ndiheni pas firmosjes së kontratës?
Normalisht që jam i kënaqur, pasi bëhet fjalë për një projekt që vazhdon. Fillimisht dua të falënderoj presidentin dhe klubin e Elbasanit për besimin. Pa harruar më pas stafin tim, sepse, kur jemi të gjithë bashkë, puna bëhet edhe më mirë. Unë pa stafin jam zero dhe më kanë ndihmuar shumë vitin që lamë pas. Shpresoj të vazhdojmë mirë edhe këtë vit.
Ishte e vështirë arritja e marrëveshjes apo thjesht një formalitet? Nuk ishte e vështirë. Edhe kur firmosa më dhjetor, nuk ishte e tillë, sepse ishte dëshirë nga të dyja palët që të bashkëpunonim. Kemi qenë korrektë nga të dyja krahët, ndaj nuk kishim probleme te rinovimi. Tani të shohim se si do të na shkojë sezoni, ku uroj të jetë sa më i mbarë.
Cilat janë objektivat e skuadrës për sezonin e ardhshëm? Të jem i sinqertë, nuk mund të flas dot përpara presidentit dhe klubit. Më pas, mund të flas edhe unë më shumë për objektivat.
E keni të qartë se ku duhen bërë afrimet? Është ende shumë herët, ku ne tani vijojmë stërvitjen deri në datën 23. Patjetër që e kemi një plan rreth lojtarëve që do të afrohen, por që nuk mund të flasim shumë që tani. Ka kohë edhe për këtë gjë ende.
Sa mund t’i shërbejë eksperienca e këtij sezoni për vitin tjetër ekipit? E kam thënë edhe para pak javësh pa u mbyllur ende sezoni që sido të shkonte ishte pozitiv, për vetë faktin se kemi fituar një eksperiencë, si lojtarët, skuadra, ashtu edhe klubi. Tani kemi edhe një bazë të mirë lojtarësh dhe kjo është një plus apo garanci për sezonin tjetër. Unë kam besim se sezoni do të na shkojë mirë. Patjetër që do të jetë shumë i vështirë, sepse vjen Flamurtari me Vorën, ekipet e tjera gjithashtu do përforcohen dhe do të jetë një kampionat i fortë. Megjithatë, do punojmë shumë që të kapim ritmin e duhur nga fillimi.
Cila është ndeshja peng e sezonit të kaluar? Ndoshta ndeshja e fundit. Kishim një shans të mirë për të kapur Europën, edhe pse përballë kishim një ekip të mirë si Partizani. Ende nuk më ka kaluar mërzitja e asaj ndeshjeje, më së shumti edhe për tifozët. Ka qenë një atmosferë shumë e bukur, jo vetëm ndaj Partizanit, por edhe më herët. Më vjen keq, sepse vinim me një atmosferë dhe energji shumë pozitive për të kapur Europën, por e dini se futbolli i tillë është.