Të gjithë tani i kanë sytë tek Elbasani i sezonit të ardhshëm. Nëse vitin që lamë pas e humbi mundësinë për Europë në ndeshjen e fundit, tani duan që të mos e vënë më në diskutim atë.MUHARREM DOSTIMe një eksperiencë më shumë mbi supe, një grup tanimë të formuar dhe mbi të gjitha me konfirmimin e trajnerit, duket se janë të gjitha shanset që sezonin e ardhshëm Elbasani të jetë pretendent serioz. Të paktën, kështu shprehet në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” ish-portieri dhe trajneri i njohur Elbasanit, Muharrem Dosti. Gjëja e parë që prek, është rinovimi i Gvozdenoviçit.
“Dua të ndalem fillimisht te konfirmimi i trajnerit të ri. E shoh me vend që i jepet besimi Gvozdenoviçit dhe për më tepër që kjo gjë ndodh tani dhe nuk u prit gjatë. Pra, gjithnjë ‘guri’ i parë i themelit nis nga ai që do ta drejtojë skuadrën dhe ka gjithë kohën në dispozicion për të menduar për sezonin e ri. Vitin e kaluar trajneri i ri u zgjodh pak javë para kampionatit dhe skuadra vuajti jo pak për të shkuar aty ku duhet dhe mendoj që këtë sezon nuk do të ndodhë më ashtu”, u shpreh Muharrem Dosti.