Për momentin, nuk ka asnjë lojtar tjetër të larguar nga ana e klubit, veç Razak Abalorës, por ditët në vijim do të jenë vendimtare edhe në këtë aspekt.
Gazeta mëson se ata që praktikisht rrezikojnë më shumë të mbyllin bashkëpunimin me skuadrën janë futbollistët që u mbaron kontrata në fund të sezonit dhe, sipas burimeve të gazetës në klub, vetëm pak prej tyre do t’u ofrohet rinovim edhe për të paktën një tjetër sezon.
Sakaq, lojtarët që nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion, për arsye teknike apo dëmtimi, sërish janë më të rrezikuarit që të mos qëndrojnë më gjatë në klubin verdheblu. Nga ana tjetër, edhe për ata që kanë kontratë përtej këtij sezoni, do të ulen në bisedime për t’i mbyllur para kohe, nëse nuk kanë bindur këtë vit.
Elbasani e mbylli vitin e kaluar në vendin e pestë, ndërsa sezonin e ardhshëm të gjitha gjasat janë që të formojnë një ekip më konkurrues, që të paktën të shkojë deri në kupat e Europës.
Ende nuk kanë nisur piketimet në merkato, por pritet që verdheblutë të hyjnë fuqishëm në treg, ku do të synohen lojtarë nga të gjitha rolet. Gjithsesi, më parë do të bëhet lista e spastrimeve, që të shihet më konkretisht se ku duhen ndërhyrjet.
PANORAMASPORT.AL