Një tjetër hap madhor në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Elbasan është bërë realitet. Gjimnazi “Dhaskal Todri”, një nga institucionet më të njohura të dijes në qytet, do të rikonstruktohet tërësisht, duke u kthyer në një mjedis modern dhe të denjë për qindra nxënës dhe mësues.
Ky projekt, i shumëpritur prej vitesh, pritet të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për 607 nxënës dhe 42 mësues, të cilët do të punojnë dhe mësojnë në kushte bashkëkohore, me standarde të larta sigurie dhe funksionaliteti.
Përmes këtij investimi, Bashkia e Elbasanit synon të krijojë hapësira që, edukojnë dhe përgatisin gjeneratat e ardhshme për sfidat e kohës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, u shpreh se “investimi në arsimin cilësor është investim në të ardhmen e qytetit tonë. Rikonstruksioni i Gjimnazit ‘Dhaskal Todri’ është një premtim i mbajtur dhe një hap konkret drejt krijimit të kushteve më të mira për nxënësit dhe mësuesit tanë. Elbasani meriton shkolla dinjitoze dhe bashkëkohore, dhe ky është vetëm fillimi.”
Ky lajm vjen vetëm pak ditë pas njoftimit për nisjen e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri”, duke treguar një angazhim të qëndrueshëm për zhvillimin e sektorit të arsimit në qytet.
