Elbasani e ka lënë pas kampionatin që u mbyll, ku për pak mund edhe të ishte pjesë e “Final 4”, nëse në fund ndaj Partizanit nuk do të dilnin të mundur nga fusha e lojës.pishaGjithsesi, ajo pjesë u arkivua dhe ajo që mbetet më e rëndësishme është vazhdimësia. Në lidhje me atë se çfarë prodhoi ekipi i Elbasanit këtë sezon në Superiore dhe pritshmëritë për të ardhmen, flet ekskluzivisht për “Panorama Sport” një djalë i qytetit, Arjan Pisha. Ish-mbrojtësi verdheblu pohon se në futboll nuk është asnjëherë e lehtë të pretendosh që vitin e parë dhe sipas tij, Elbasani e la “gjurmën” e vet vitin që lamë pas.
“Historia ka treguar se nuk është e lehtë të pretendosh që vitin e parë, janë raste shumë të rralla që ndodhin. Elbasani ishte ndër ato ekipe që rivalizoi denjësisht për të shkuar deri në ‘Final 4’. Vërtet nuk ia arriti, por sezoni në tërësi quhet i suksesshëm, sepse përballë kishte skuadra që prej vitesh janë të konsoliduara në futbollin shqiptar. Nga ana tjetër, i dha një bukuri kampionatit me mbështetjen e tifozëve në stadium”, u shpreh fillimisht në fjalën e tij ish-futbollisti i Elbasanit.
TRAJNERI – Siç dihet, çështja e parë që mbetet për t’u zgjidhur në një fund kampionati dhe në prag të nisjes së një tjetri, është trajneri. Ivan Gvozdenoviçit i mbaron kontrata, ndaj sa më parë duhet ndarë se çfarë do të bëhet në këtë aspekt. Për Pishën, edhe pse nuk i njeh gjërat në brendësi në klubin verdheblu, trajneri e tregoi veten me rezultate dhe beson se do ta nisë ai projektin për këtë vit nga fillimi.
“Të jem realist nuk i di gjërat në brendësi në klub dhe normalisht drejtuesit e kanë më të qartë këtë pjesë. Di të them që trajneri në fund të ditës matet me rezultate dhe Gvozdenoviç i ka pasur ato, sepse rrugës rikuperoi shumë pikë dhe për pak ekipi do të shkonte në Europë. Është një trajner që punon dhe besoj se do t’i jepet shansi që ta marrë skuadrën nga fillimi i kampionatit”, vijoi më tej Arjan Pisha.
SEZONI I ARDHSHËM – Deri në startin e kampionatit të ardhshëm ka ende kohë përpara, por ekipet që pretendojnë nisin i bëjnë që tani llogaritë. Pisha pohon se duhet bërë merkato, por boshti të mos preket, sepse vetëm kështu do të bëhen më të fortë sesa viti që lamë pas. “Çdo verë të gjitha skuadrat kanë nevojë për merkato, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Nuk bën përjashtim as Elbasani në këtë aspekt. Nuk di të them se ku duhet të ndërhyjnë, sepse është punë e stafit, por e rëndësishme është që të mos preket boshti. Besoj se kështu do të ndodhi, sepse aktualisht ekipi e ka krijuar një bosht të vetin gjatë këtij sezoni dhe me pak ndërhyrje vendimtare në të gjitha rolet, besoj se do të jenë të kompletuar”, u shpreh ish-futbollisti i Elbasanit.
OBJEKTIVI – Sa u përket objektivave, për Pishën është herët për të folur dhe nuk është nevoja të ngarkohet skuadra që tani. Megjithatë, duke njohur investimet dhe ambiciet e drejtuesve, beson se do të jenë ndër ato ekipe që do të pretendojnë.
“Realisht është herët të flasësh që tani për objektivat që do të ketë një skuadër. Por, duke qenë se vitin e parë zunë vendin e pestë, jam i bindur se ambicia është për të shkuar më lart dhe investimet nuk do të mungojnë. Besoj se do të shohim një ekip që të luftojë për trofe, por gjithnjë pa eufori dhe me këmbë në tokë”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-futbollisti i Elbasanit, Arjan Pisha.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL