Saturday , April 26 2025

Ish-trajneri Deliu: Elbasani e mund Partizanin! Ja kush është sekreti

Elbasanit i duhet edhe një gjysmë hapi pozitiv këtë të diel në kryeqytet për të qenë në “Final 4” dhe pjesë e Europës. Për ish-futbollistin dhe trajnerin e njohur të Elbasanit, Luan Deliu, verdheblutë janë tanimë kampionë të asaj se çfarë kanë ndërtuar, pak rëndësi ka se çfarë do arrijnë në fund të sezonit.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ai pohon se të gjithë kanë sakrifikuar për të shkuar në këto nivele. Në fund, Deliu sugjeron se Gvozdenoviç duhet të vijojë projektin me këtë skuadër, sepse e ka treguar me punën që ka bërë deri më tani.

Duhet edhe një ndeshje për të siguruar “Final 4”. Si e shihni këtë objektiv? Objektivi i Elbasanit është maksimalisht i arritur. Të mos harrojmë se ne erdhëm nga një periudhë shumë e vështirë, që nuk aderonim thuajse fare në futbollin shqiptar dhe brenda katër viteve arriti që sot të flasim të gjithë për këtë skuadër. Një nga gjërat më të bukura është tifozeria, e cila kam besimin se do të jetë dytri herë më shumë. Për këtë arsye, Elbasani është me meritë aty.

Dakord, por si e mendoni përballjen me Partizanin për të siguruar “Final 4”? Në kohën time (1983- 1984), me një fitore 2 me 1 në Tiranë, ne arritëm të dilnim kampionë. Dhe dëshirojmë që të përsëritët prapë. Kjo tregon se gjatë këtij sezoni kemi qenë determinantë ndaj Partizanit, ndaj pse të mos jemi edhe në këtë ndeshje. Pavarësisht se ku luhet, një ekip që kërkon të arrijë rezultatet maksimale, nuk duhet të shohë se ku luan, të imponojë të tjerët të vijnë pas lojës së tij. Elbasani duhet të shkojë me moralin e lartë dhe të jetë shumë i qetë.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL