Tuesday , April 22 2025

Gjoni: Goli për Elbasanin, shkojmë ne në “Final 4”. Drejtuesit kanë besuar gjithnjë tek unë…

Amarildo Gjoni ishte heroi i Elbasanit në ndeshjen me Vllazninë, duke hyrë në fushë dhe barazuar shifrat. Goli i parë këtë kampionat, por që i dërgon verdheblutë në “Final 4”, një ndeshje para duelit final me Partizanin. Sulmuesi rrëfen për “Panorama Sport” këtë rrjetë me peshë, ku shpreson ta bëjë një të tillë edhe ndaj të kuqve në fund. Gjoni pohon se Elbasani nuk i ka humbur asnjëherë shpresat, edhe kur diferenca ishte e madhe dhe shumë pak shpresonin se mund t’ia dilnin.

Shënuat një gol, që për momentin e dërgon Elbasanin në vendin e katërt. Kujt ia dedikoni atë?

Normalisht jemi shumë të kënaqur, për më tepër që i shërbeu skuadrës. Këtë gol ia dedikoj familjes sime, stafit dhe drejtuesve që kanë besuar gjithnjë tek unë.

Ishte goli i parë, e prisnit të shënonin pikërisht në këtë ndeshje?

Kam pasur vështirësi për të shënuar në fakt, por këtë gol e prisja. Kam dhënë gjithnjë maksimumin si në ndeshje edhe stërvitje dhe e prisja që të vinte.

Si e prisni tani ndeshjen me Partizanin?

Do të nisim të mendojmë për Partizanin gjatë kësaj jave. Normalisht synimi është që të mbajmë këtë pozicion dhe të arrijmë objektivat që ka klubi.

Sa besim keni pasur që mund të arrini në “Final 4”, duke parë diferencën që kishit me Partizanin?

Në fillim ka qenë diferencë e madhe, në fakt. Por, trajneri qëkur erdhi, na ndihmoi për të arritur deri këtu. Gjatë ditëve në stërvitje kemi punuar fort dhe për asnjë moment nuk e kemi humbur besimin.

Goli juaj e ka dërguar Elbasanin në katërshe. E prisni një të tillë edhe me Partizanin, për ta siguruar “Final 4”?

Pse jo, do të mundohem të bëj maksimumin tim. Gjithnjë shpresoj për më të mirën dhe të shohim tani.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL