Shkolla e mesme “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan ka përfunduar së rikonstruktuari dhe është gati që të presë mbi 650 nxënës dhe mësues.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, e cila do të sigurojë një mjedis të përshtatshëm për mësim dhe zhvillim.
“Gjithçka është gati në shkollën e re “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, që do të presë mbi 650 nxënës dhe mësues në klasa të reja, laboratorë e palestër moderne, me standarde europiane, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Elbasanit”, tha Rama.
Në bashkinë e Elbasanit janë financuar 3 objekte shkollore: Shkolla “Kostandin Kristoforidhi”, shkolla artistike “Onufri” dhe ambientet sportive të shkollës “Luigj Gurakuqi”. Në nivel qarku, janë financuar 6 objekte arsimore në 4 bashki të qarkut: Elbasan, Cërrik, Gramsh dhe Librazhd.
Përmes programit të rehabilitimit të shkollave dhe terreneve sportive të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, pushtetit vendor dhe së bashku me Programin e Rindërtimit do të përfundojë ndërtimi dhe rehabilitimi i 100 shkollave në të gjithë vendin.