Katër fitoret e fundit radhazi kanë rritur shanset e ekipit të Elbasanit për të marrë pjesë në “Final 4”. Qëndrojnë vetëm një pikë larg Partizanit dhe kur kanë mbetur dy ndeshje deri në fund, njëra madje një përballje direkte, çdo gjë është e mundur.
Sipas ish-drejtorit të ekipit të Elbasanit, Sabri Dalipi, ecuria e verdhebluve nuk është rastësore. Në fjalën e tij për “Panorama Sport”, thekson se ekipi ka arritur kulmin në momentin më të rëndësishëm të sezonit, duke e parë si avantazh ndaj të kuqve.
“Fundi është gjithnjë ai më i rëndësishmi dhe që mbahet mend. Dhe ky fund kampionati e gjen Elbasanin në momentin më të mirë. Unë nuk i shoh rastësi fitoret radhazi dhe rezultatet pozitive në tërësi gjatë këtyre javëve. Edhe pse me mungesa të shumta, duket se trajneri ka gjetur përfundimisht harmoninë që i duhej ekipit, duke marrë fitoret përballë kundërshtarëve të vështirë”, u shpreh fillimisht Sabri Dalipi.
VLLAZNIA – Më tej, Dalipi ndalet te ndeshja e radhës me Vllazninë këtë fundjavë. Si një “stekë e vjetër” ai ka një këshillë për verdheblutë, duke kërkuar që të mos mendojnë për ndeshjen finale me Partizanin, por vetëm për këtë 90-minutësh.
“Kanë ardhur me meritë deri në këtë pikë dhe duhet që së paku ta dërgojnë në ndeshje finale këtë çështje. Mirëpo, nuk duhet të harrojnë se përpara kanë një tjetër ndeshje shumë të vështirë, me Vllazninë. Duhet të mendojnë vetëm për këtë sfidë, jo për atë me rivalin e Partizanit një javë më pas. Kam vënë re se në shtëpi skuadra ka më shumë emocione dhe kështu ndodhi ndaj Bylisit, por gjithsesi ia doli të marrë fitoren. Me shkodranët nuk do të jetë e lehtë, por për Elbasanin është për ‘jetë a vdekje’ dhe kurrsesi nuk mund të gabojë tani që ka shkuar kaq pranë objektivit”, vijoi më tej Sabri Dalipi.
PARTIZANI – Ish-drejtori u ndal në fund edhe tek ajo që e pret me Partizanin, nëse gjithnjë skuadrat do të diskutojnë “Final 4” në duelin direkt. Ai sheh Elbasanin favorit në fund.
“Asgjë nuk ka mbaruar, por gjasat duket se do të ndahet në ndeshje direkte. Nëse shkon deri aty, shoh Elbasanin favorit. E them këtë, sepse shkon pas një ecurie mjaft të mirë, ndërsa Partizani me një moral më të ulët. Nga ana tjetër, Elbasani nuk ka as se çfarë të humbë, sepse, edhe nëse nuk e arrin, për mua sezoni është pozitiv. Nuk është pak ta mbyllësh në vendin e pestë në vitin e parë debutues në Superiore”, mbylli prononcimin e tij për gazetën ish-drejtori i Elbasanit, Sabri Dalipi.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL