Thursday , April 24 2025

Bylykbashi takim me sipërmarrësit: Një zë i ri për Elbasanin, një rrugëtim me njerëzit dhe për njerëzit

Aulona Bylykbashi, kandidate për deputete në Bashkinë e Elbasanit, zhvilloi një takim elektoral me sipërmarrësit e qytetit, ku ishte e shoqëruar nga Adi Qose, kandidat në listat e mbyllura të Partisë Socialiste. Takimi u përqendrua në diskutimin e mundësive për zhvillimin e mëtejshëm të bizneseve lokale dhe krijimin e kushteve për rritjen e ekonomisë së qytetit.

Bylykbashi, ka folur për punën që ka bërë gjatë 12 viteve në administratën e Bashkisë Elbasan, duke theksuar se gjithmonë ka qenë pranë qytetarëve dhe ka punuar për ta.

“Kam qenë gjithmonë pranë qytetarëve të Elbasanit, kam hapur derën e Bashkisë për ata që kanë pasur nevojë dhe kam kontribuar në zhvillimin e këtij qyteti. Qyteti ynë ka kaluar shumë ndryshime në këto 10 vite, kemi investuar në infrastrukturë, kemi ndërtuar shkolla dhe kemi përmirësuar shërbimet për fëmijët, për ata që shkojnë në kopshte dhe për çdo qytetar,” tha Bylykbashi.

Ajo gjithashtu theksoi se një nga arsyet pse duhet të mbështesim Partinë Socialiste është se kjo ka qenë promotor i zhvillimeve të mëdha në Elbasan dhe në gjithë Shqipërinë. “Në vitin 2013, me programin e rilindjes urbane, qendrat e qyteteve ndryshuan dhe Elbasani pati një transformim të madh, me lulishte, gjelbërim dhe përmirësim të infrastrukturës. Ky është një investim i madh që ka sjellë PS për qytetin tonë,” shtoi Bylykbashi.

Ajo theksoi se, si deputete, do të vazhdojë të mbështesë projekte të mëdha që do të çojnë në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Elbasanit. “Ne kemi hyrë në rrugëtimin tonë drejt zgjedhjeve të 11 majit, dhe kjo është një mundësi për të takuar qytetarët dhe qytetaret, të rinj, nënat dhe baballarët, dhe për t’u dhënë mesazhe që duam të dëgjohen dhe të besohen nga të gjithë”.

Bylykbashi theksoi gjithashtu se është e nevojshme të vazhdojmë të mbështesim këtë lloj frymëzimi dhe angazhimi nga ana e qytetarëve dhe biznesmenëve, të cilët po kontribuojnë për një Elbasan më të zhvilluar dhe më të mirë për brezat e ardhshëm.

“Ne jemi në një periudhë të rëndësishme, ku duhet të angazhohemi më shumë për të mbështetur bizneset dhe të sigurojmë mundësi më të mira për të rinjtë. Puna ime ka qenë gjithmonë për të krijuar mundësi për të gjithë dhe për të siguruar që Elbasani të jetë një qytet që ofron mundësi për të gjithë.”

Në fund, Bylykbashi ftoi qytetarët të mbështesin Partinë Socialiste dhe angazhimin e saj për zhvillimin e Elbasanit dhe për mirëqenien e familjeve. “Kjo është një mundësi për të vazhduar të bëjmë punë të mira për qytetin tonë. Jam një vajzë e Elbasanit, kam punuar me njerëzit dhe gjithmonë për njerëzit. Kjo është arsyeja pse unë kërkoj mbështetjen tuaj,” tha ajo.

Bylykbashi gjithashtu përmendi bashkëpunimin me Adi Qosen, kandidatin tjetër të PS-së, duke thënë se të dy do të punojnë së bashku për të siguruar fonde dhe mundësi të reja zhvillimi për qytetin. “Unë dhe Adi do të jemi dy zëra të shtuar për qytetin, dhe do të trokasim në çdo derë, në çdo ministri, në FSHZH, me qëllim për të marrë fonde për Elbasanin,” përfundoi Bylykbashi.

Në të njëjtën linjë, Adi Qose, e vuri theksin tek Visi, një biznesmen i suksesshëm që ka ndërtuar një biznes në Elbasan pas 20 vitesh si emigrant në Greqi, si dhe ka vlerësuar investimet që janë për zhvillimin e biznesit lokal. Ai ka theksuar se është krenar për arritjet e bizneseve shqiptare që po kthehen nga diaspora dhe investojnë në atdheun e tyre.

“Visi është një shembull frymëzues i atyre që janë kthyer nga jashtë dhe kanë ndërtuar diçka të qëndrueshme dhe të bukur. Ky është një model që duhet të ndjekin edhe të tjerët. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të mbështesë bizneset dhe të krijojë mundësi për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm. Ky është një hap i rëndësishëm për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Elbasanit,” tha Qose.