Moti i ftohtë i shoqëruar me ngrica këtë muaj në Qarkun e Elbasanit nuk dëmtoi vetëm vreshtarinë dhe kultura të ndryshme bujqësore, por edhe bletarinë.
Të shumtë janë bletërritësit e zonës së Gramshit, Librazhdit, Prrenjasit dhe të Elbasanit që kanë pasur dëmtime të bletëve gjatë këtyre ditëve.
“I ftohti i ditëve të fundit, kryesisht në zonat malore, ka shkaktuar disa problematika te kosheret e bletëve, duke frenuar pjelljet në koshere dhe duke sjellë një rënie të numrit të kornizave atje. Nëpërmjet specialistëve tanë po bëjmë këshillimin e fermerëve dhe bletërritësve. Ideja është ngushtimi i kornizave brenda, duke lënë më pak hapësirë, për të krijuar kushtet që të kalojë ky moment i vështirë,” thotë Spiro Hunçi, shefi i Drejtorisë Rajonale e Veterinarisё dhe Mbrojtjes sё Bimёve (DRVMB) në Elbasan.
Sipas z. Hunçi në qarkun e Elbasanit ka pasur një rritje të numrit të fermerëve të cilët kanë përhapur rritjen e bletëve, për arsye të një tregu të qëndrueshëm dhe të një cilësie të mirë të mjaltit.
Ai i këshillon bletërritësit që të kenë kujdes në muajt në vazhdim përgjatë verës, pasi do të ndeshen me disa sëmundje sezonale të bletëve.
Qarku i Elbasanit, ka një numër të lartë të bletëve, ku kryesojnë Gramshi dhe Librazhdi, kjo falë kullotave të pastra.
Përhapja e kësaj kulture është në rritje falë edhe tregut të qëndrueshëm.
/rtsh.al/