Edhe njëherë tjetër Elbasanit i vjen shpëtimi nga prapavija ose më saktë nga Emiljano Musta, i cili, me golin ndaj Dinamos, shkon në shtatë rrjeta të realizuara. Në këtë mënyrë ai kthehet në golashënuesin e skuadrës, ndonëse, kur golat vijnë nga mbrojtja, nuk duket një shenjë e mirë për skuadrën.
Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas ndeshjes, elbasanasi pohon se barazimi me Dinamon ishte i drejtë, por pret më shumë në sfidat e mbetura. Musta, si një ekspert i Superiores, pohon se synimi është gjithnjë për më lart, por pa harruar edhe rrezikun që vjen nga poshtë. Ai beson se do të rikthehen te fitorja në ndeshjen me Laçin, e cila vjen pas pushimit të ndeshjeve të Kombëtares.
Barazim me Dinamon, sa të kënaqur jeni? Për mënyrën si shkoi ndeshja, mendoj që barazimi ishte rezultati më i drejtë. Ishte një sfidë e ndarë në dy tablo, ku pjesa e parë foli më shumë për Dinamon dhe në të dytën ishim ne më dominues. Kishim mundësitë edhe për ta fituar ndeshjen.
Shtatë gola deri tani dhe jeni golashënues i skuadrës. Shenjë jo e mirë për skuadrën kur golat vijnë nga mbrojtja… Në aspektin personal, është një arritje domethënëse për mua, pasi tregon për punën dhe mundin që bëj çdo ditë në stërvitje dhe ndeshje. Por, të jem i sinqertë, do të isha më i lumtur në qoftë se golat do të vinin nga sulmuesit dhe do kishim më shumë pikë në renditje.
Çfarë i mungon skuadrës për të fituar dhe duke mos u mjaftuar me shumë barazime? Në opinionin tim, na mungon ai cinizmi përpara porte. Duhet të jemi më të saktë me rastet që krijojmë. Jemi ultra ofensiv në zonën kundërshtare, por nuk konkludojmë me gola rastet e krijuara.
Ditët e pushimit për shkak të Kombëtares, sa mund t’ju shërbejnë? Mendoj që ka ardhur në momentin e duhur pushimi, pasi kemi disa lojtarë në gjendje jo të mirë fizike. Për këtë arsye ndalesa do na ndihmojë të jemi me kontingjent më të plotë në ndeshjet e ardhshme.
Ndeshja e radhës me Laçin, çfarë synoni? Laçi është një kundërshtar mjaft i fortë, sidomos në fushën e tyre që e kanë pikë të fortë, pasi i vendosin mjaft në vështirësi ekipet kundërshtare. Por ne jemi Elbasani dhe ikim në çdo stadium për të dalë me tri pikë.
Mes “Final 4” dhe mbijetesës, çfarë prisni në gjashtë javët e fundit? Shpresoj të marrim sa më shumë pikë dhe deri në fund të arrijmë sa më lart në renditje. Por gjithmonë duke pasur kujdes dhe nga pjesa poshtë, pasi gara është shumë e egër në çdo aspekt.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL