Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar pezullimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, pak ditë pas takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Ky vendim u mor pas një mbledhjeje të zhvilluar të hënën, më 3 mars, në Shtëpinë e Bardhë, ku morën pjesë Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe këshilltarë të lartë të presidentit.
“Ne po ndalojmë dhe do të rishqyrtojmë ndihmën tonë për të siguruar që ajo të ndihmojë në gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Presidenti është i përqendruar në arritjen e paqes dhe presim që partnerët tanë të angazhohen për të njëjtin qëllim,” deklaroi një zyrtar i lartë i administratës.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio tha se Trump është i vetmi lider që mund të arrijë një zgjidhje të qëndrueshme për luftën në Ukrainë, raporton noa.al.
“Presidenti Trump është i vetmi lider botëror që ka një mundësi reale për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Ne synojmë të bindim Rusinë të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të shqyrtojmë nëse paqja është e mundur,” u shpreh Rubio.
Ndërkohë, nënpresidenti J.D. Vance deklaroi se është i bindur se presidenti ukrainas do të pranojë të diskutojë një marrëveshje paqeje me Rusinë.
Në një intervistë televizive, Vance theksoi se Zelensky deri më tani ka refuzuar të angazhohet në procesin e paqes që kërkon administrata amerikane.
Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën ishte miratuar më parë nga administrata e presidentit Joe Biden. Sipas të dhënave të Departamentit të Shtetit, SHBA ka ofruar rreth 65.9 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën nga 24 shkurti 2022 deri më 20 janar 2025. /noa.al