Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ka zhvilluar një takim të veçantë me fermerin Drini, i cili me përkushtim vazhdon traditën e blektorisë të trashëguar nga gjyshi i tij. Me 300 krerë dele, të ndara në dy tufa, Drini kujdeset personalisht për delet e sapolindura, ndërsa për tufën tjetër janë të angazhuar punëtorë që ndihmojnë në kullotjen dhe mirëmbajtjen e bagëtive.
“Drini është një shembull i jashtëzakonshëm i punës së palodhur dhe përkushtimit ndaj traditës. Ai e çon përpara me mund e sakrificë këtë pjesë kaq të rëndësishme të bujqësisë dhe blektorisë, duke mos e humbur lidhjen me rrënjët,” u shpreh kryetari Llatja gjatë bisedës me fermerin.
Për Drinin, kjo punë është më shumë se një mënyrë jetese, është një pasion që e ndan edhe me djalin e tij, të cilin e merr shpesh me vete në kullotat e zonës. Përkushtimi i tij ndaj blektorisë dhe ruajtja e traditës familjare janë një model frymëzimi për brezat e rinj që zgjedhin të qëndrojnë dhe të kontribuojnë në zhvillimin rural.
Kryetari i Bashkisë vlerësoi angazhimin dhe punën e palodhur të Drinit, duke theksuar se mbështetja për fermerët dhe zhvillimi i bujqësisë janë një prioritet për Bashkinë Elbasan. “Puna e njerëzve si Drini është një pasuri për komunitetin tonë. Ne do të vijojmë të mbështesim fermerët që me mund mbajnë gjallë traditat dhe ekonominë lokale,” përfundoi Llatja.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.