Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, ka theksuar se skuadra e tij nuk e meritonte këtë humbje përballë Egnatias dhe sqaroi momentin e polemikave të penalltia.
“Patjetër ishte keq, dhe jemi shumë të mërzitur. Ishim mirë deri në minutën e 29, ishim në ekuilibër, luajtëm mirë, vjen një moment i mirë për ne, penalltia. Ndoshta nëse shënonim, kushedi si do shkonte ndeshja. Ky ishte ndoshta momenti më i rëndësishëm, patjetër jemi mërzitur, sipas meje nuk e meritonim të humbim ndeshjen. Por rezultati është 2-1 për Egnatian dhe dua të uroj Egnatian për fitoren.
Debati Tsague-Musta te penalltia? Të gjithë mund të humbin penallti, por lista ishte Lila i pari, Musta i dyti. Edhe unë reagova nga pankina, i thashë Mustës do gjuajë Lila ose ti, jo Tsgaue dhe këtu jam mërzitur. Dakord. ai mori përgjegjësi, ndoshta ishte dëshira që do shënoj, por kemi rregulla dhe nuk ishte ai për penalltinë.
Në pjesën e dytë në fillim Egnatia ishte me tre mbrapa dhe për ne ishte e thjeshtë të ndanim sulmuesit te secili mbrojtës. Por vetëm një komunikim Lajthia-Lila, sepse kur jemi gati për presion Lajthia mund të rrinte mes Xhemajlit e Ndrecës, kur bënte presing lart, mund të vinte Lila. Por ndoshta në komunikim nuk ishim në kohën e duhur.
Në fund ishim me katër lojtarë ofensiv, plus Musta e Lila nga krahët. Goli vjen kur erdhi ndërrim krahu i shpejtë. Edhe psikologjikisht ishim pak më kërkues pas golit të Egnatias, pastaj edhe kur humbëm penallti, patjetër ne jemi shumë të mërzitur”, tha Gvozdenoviç për RTSH në përfundim të takimit.
PANORAMASPORT.AL