Shkaktoi aksident në gjendje të dehur, arrestohet 44-vjeçari në Elbasan

Një 44-vjeçar në Elbasan, është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se në gjendje të dehur përplasi 1 këmbësor dhe 1 mjet bujqësor të parkuar, duke u larguar më pas nga vendngjarja.

Në pranga është vënë edhe një 55-vjeçar që ishte pasagjer në automjet, i cili në momentin e aksidentit nuk e kallëzoi rastin. Gjendet dhe sekuestrohet automjeti i 44-vjeçarit, i përfshirë në aksident.

 “Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve policore, të kryera menjëherë pas aksidentit rrugor të ndodhur pasditen e djeshme, në fshatin Tregan, specialistët e qarkullimit rrugor identifikuan, lokalizuan dhe arrestuan drejtuesin e automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasin F. P., 44 vjeç”, njofton policia.

Nga veprimet e deritanishme dyshohet se me automjetin që drejtonte në gjendje të dehur, 44-vjeçari ka përplasur këmbësorin, shtetasin F. K., 56 vjeç, dhe 1 mjet bujqësor të parkuar, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. 56-vjeçari aktualisht është në kujdesin e mjekëve, në Spitalin e Traumës.