Pikantet Elbasani-Vllaznia/ Një mace e zezë në fushë, tifozët kapen me Dodajn

“Panorama Sport” sjell për lexuesit e saj disa nga momentet më interesante të sfidës, në fushë dhe në shkallët e stadiumit:

-Ndryshe nga sa pritej, numri i tifozëve në stadium ishte i paktë. Afro 1 mijë prej tyre kishin preferuar ta ndiqnin sfidën nga afër. Ishin të pranishëm “Tigrat”, por ra në sy mungesa e “Vllaznit ultras”, tifozëve fanatikë shkodranë.

-Abalora tërbohet me shokët e skuadrës pas një aksioni të rrezikshëm të miqve, të cilët iu afruan golin.

-Tsague nervozohet për një rast në dëm të tij, ku në një dyluftim me Krymin kryesori akordon rivënie fundore. Sulmuesi i Elbasanit i tregon topin që ishte mbi vijë dhe në mënyrë demonstrative e shkelmon atë, duke u ndëshkuar me karton të verdhë.

-Kur të gjithë lojtarët, së bashku me gjyqtarët, ishin në fushë për të nisur pjesën e dytë, Emiljano Musta qëndronte jashtë saj, sepse një pjesëtar i stafit mjekësor po i fashonte dorën.

-Një pjesë e tifozëve të Elbasanit u kapën me Dodajn dhe nuk i kursyen ofendimet ndaj sulmuesit shkodran.

-Në minutën e 69-të, një mace e zezë “çau” rrethimin dhe përshkoi fushën. Moment që solli ilaritet në stadium. Në fakt u bënë disa ndeshje që një mace e zezë shihet në stadium, një shenjë e keqe kjo sipas besëtytnisë dhe në fakt Elbasanit nuk i ka ecur shumë kohët e fundit.

-Ardit Krymi shkon të kërkojë diçka tek arbitri, ky i fundit ia kthen duke bërtitur: “Ik, ik, largohu”.

-Tomas Bërdariç reagon ndaj një vendi të kryesorit në fund, duke pretenduar për një faull ndaj Ildi Grudës. Arbitri e ndëshkon me të verdhë.

-Ildi Gruda dhe Amir Kahrimanoviç zhvilluan disa vrapime rreth fushës pas përfundimit të ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL