Elbasani nuk dorëzohet, verdheblutë besojnë ende për “Final 4”

Elbasani luan të dielën shansin e fundit për të mbajtur të hapura llogaritë për një vend në “Final 4”. Humbja e terrenit me skuadrat e kreut pas disfatës me Dinamon i detyron verdheblutë që tani të mos bëjnë më asnjë hap fals, nëse vërtet duan të bëjnë histori që në sezonin e parë të rikthimit në Superiore. Për këtë arsye, përballja me kurbinasit shihet si tepër e rëndësishme dhe në kampin elbasanas e kanë vlerësuar maksimalisht.

Në dy ndeshjet e kaluara të këtij sezoni Elbasani ka marrë rezultate pozitive ndaj kurbinasve, ka fituar në fushën e vet 1-0 dhe ka barazuar 1-1 në Laç. Mbetet për t’u parë, nëse do të vijojë ky trend pozitiv edhe këtë fundjavë ose jo, por realisht skuadra e trajnerit Gvozdenoviç i ka shanset që të rikthehet te fitorja.

LLOGARITË – Në situatën ku ka hyrë kampionati, çdo ekip bën llogaritë e veta dhe Elbasani nuk bën përjashtim nga kjo gjë. Diferenca me 4 ekipet e kreut është 8 pikë më pak se Egnatian dhe 9 pikë nga Dinamo, Vllaznia dhe Partizani. Në lojë janë edhe 45 pikë, mjaftueshëm për të shpresuar për një rikuperim të mundshëm dhe njëkohësisht për ta karikuar skuadrën që të mos dorëzohet kaq shpejt nga lufta për një vend në Europë. Mjafton që Elbasani të rikthehet ajo skuadra para Dinamos, ku dha shenja se ka mundësi të rivalizojë denjësisht edhe për pozicionet më lart në renditje. Drejtuesit e Elbasanit presin nga ekipi që të nisë një cikël fitoresh dhe të jetë deri në fund në garë për katër vendet e para, pavarësisht nëse në fund do t’ia arrijë ose jo këtij qëllimi.

MERKATO – Për të arritur objektivat e sezonit, që nuk është vetëm “Final 4”, por edhe Kupa e Shqipërisë, Elbasani pret edhe dy afrime në merkato. Burime të gazetës pranë klubit verdheblu pohojnë se janë gati për të firmosur me dy sulmues krahu, me të cilët ka një akord paraprak, por për shkak të burokracive me dokumentacionin lojtarët nuk kanë mbërritur ende në Elbasan për t’iu bashkuar ekipit.

Duke parë që janë ditët e fundit para mbylljes së merkatos dhe emergjencën që po krijohet javë pas jave në fazën ofensive, lipset që dy afrimet në sulm të konkretizohen sa më parë, që të vihen nën urdhrat e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Për momentin ai ka vetëm një lojtar në gjendje optimale në sulm, Blaise Tsague, sepse pjesa tjetër e lojtarëve të këtij reparti janë në fazë rikuperimi dhe për më tepër janë në dyshim edhe për përballjen e kësaj fundjave me Laçin. Afrimi i dy sulmuesve të piketuar nga klubi në merkaton e janarit do t’i jepte zgjidhje njëherë e mirë edhe situatës me dëmtimet që ka pasur skuadra në këtë repart, duke u penalizuar jo pak.