Një nxënës i shkollës së Mesme Profesionale “Sali Ceka” në qytetin e Elbasanit ka kërkuar ndihmën e emisionit “Fiks Fare” për të shprehur një shqetësim për moskalimin e bursave nga ana e bashkisë së qytetit.
Ai thotë se trajtohet me bursë të plotë dhe se vitin e kaluar kalimi i bursave është mbyllur si proces në muajin Gusht, ndërsa këtë vit kanë kaluar rreth 4 muaj dhe marrin gjithmonë të njëjtën përgjigje “do të kalojnë”. Ai thotë se është përfitues i bursës së plotë dhe se çdo vit bursat kanë kaluar rregullisht, ndërsa këtë vit kanë kaluar vetëm 2 këste
Kësti i parë me 25/05/2021 me shumë 296 mijë lekë të vjetra ndërsa kësti i dytë ka kaluar në datën 16/07/ 2021 me shumën 100 mijë lekë të vjetra. “Për këstin e tretë që duhej të kishte kaluar të paktën në muajin Gusht ka rreth 4 muaj që na shmangin duke na thënë që do kalojë këtë javë do të kalojë javën tjetër.
Kërkoj ndihmën e emisionit tuaj për të marrë një përgjigje të saktë se kur do të bëhet ky kalim, pasi erdhi koha për të përgatitur dokumentat për bursat e vitit 2021-2022 dhe ne nuk kemi marrë akoma bursat e vitit të kaluar” shprehet nxënësi.
Në një takim që denoncuesi i “Fiks Fare” pati me vetë punonjësen e bashkisë, kjo e fundit u shpreh se vonesat janë si shkak i disa lëvizjeve në strukturat e bashkisë. Në një kërkesë për informacion që gazetarët e “Fiks Fare” i drejtua Bashkisë Elbasan u tha se: Në shkollën e mesme profesionale “Sali Ceka” janë përfitues 256 nxënës dhe se nga Bashkia e Elbasanit janë kryer të gjitha detyrimet për vitin shkollor 2020-2021, sipas listë prezencës së dërguar nga shkolla.
Por me shkollën “Sali Ceka” Bashkia e Elbasanit ka pasur diskutime në lidhje me listën e ditëve të festave, të cilat po ashtu është e detyrueshme të paguhen. Shkolla refuzoi të dërgonte listën e ditëve të festave, me arsyetimin se është përgjegjëse vetëm për ditët e frekuentimit të nxënësve. Ky ngërç bëri që vetëm pagesa e ditëve të festave të ketë vonesa, por nga ana e bashkisë u tha se do bëhet likujdimi më 27.10.2021.
Top Channel