Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur uljen e pagës në masën 20% për një periudhë prej 6 mujore për gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu. Në seancën e kësaj të mërkure, KLGJ pranoi pjesërisht kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për magjistraten.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë i kërkoi KLGJ-së të vendosë procedim disiplinor me masën “ulje e pagës deri në 40%, deri në 1 vit” ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu.
Procedimi disiplinor ndaj Fetahur nisi pas një denoncimi në një emision televiziv.
Në përfundim të hetimeve për të, ILD kolaudoi se: “Nga ana e magjistrates subjekt hetimi disiplinor janë ndërmarrë veprime, që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të solemnitetit, të sjelljes në marrëdhënie me palët në proçes, si dhe komunikimit ex parte të gjyqtares me dy persona të prezantuar si familjarë të të pandehurit. Veprimet e magjistrates janë kryer me dashje dhe në mënyrë të përsëritur, me dy qytetarë të ndryshëm të paraqitur në zyrën e saj, në momente të ndryshme.
Gjyqtarja nuk rezulton të jetë provokuar nga palët me të cilët ka kryer komunikimin ex-parte. Magjistratja është pyetur për ecurinë e gjykimit dhe në mënyrë vullnetare, ka dhënë të dhëna mbi zgjidhjen e çështjes së dënimit, mbi mosshtyrjen e gjatë të gjykimit, përfitimin e të pandehurit nga shtyrja e gjykimit, si dhe mbi marrjen e masave për zëvendësimin e prokurorit dhe sigurimin e prezencës së tij për të përfunduar këtë gjykim penal. Gjyqtarja ka shfaqur gadishmëri dhe përkujdesje për përgjigje sa më të qarta në funksion të mesazhit që ka dashur të përcjellë për predispozitën e saj për një zgjidhje pozitive të çështjes”.