Tuesday , July 15 2025

17-vjeçarja u çua në spital me plumb në kokë, zbardhet ngjarja: Arrestohet babai

Hetimet e policisë kanë zbardhur ngjarjen e rëndë që ndodhi ditën e hënë në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçare u dërgua nga familjarët në spital me një plumb në kokë.

Sipas uniformave blu, 17-vjeçarja tentoi t’i jepte fund jetës pas mosmarrëveshjeve që kishte në familje.

Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të hetimeve të drejtura nga Prokuroria, është arrestuar në flagrancë babai i vajzës, shtetasin S. S., 43 vjeç, banues në fshatin Romës. Ai akuzohet veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Babai dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj vajzës së tij, gjë që e ka detyruar atë në gjendje të rënduar psikologjike të tentojë të vetëvritet me armë zjarri, të dyshuar pistoletë.

Gjithashtu, është proceduar në gjendje të lirë gjyshi i të miturës, i cili akuzohet për veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve”, pasi dyshohet se ka pasur në posedim armën e zjarrit me të cilën vajza ka tentuar vetëvrasjen.

Autoritetet vazhdojnë kërkimin për gjetjen e armës së zjarrit, e cila dyshohet të jetë fshehur nga familjarët pas ngjarjes, dhe po kryhen veprime të mëtejshme hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

17-vjeçarja ndodhet në Spitalin e Traumës, duke u mbajtur nën kujdesin e mjekëve në gjendje të rëndë për jetën.

Materialet hetimore janë dorëzuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprime të mëtejshme.