Kampionati i Hendbollit mes 12 shkollave të Elbasanit, një organizim që angazhoi për disa ditë me radhë më shumë se 150 nxënës nga ekipet sportive, ku shkolla ” Jorgji Dilo”, u shpall kampion. Kryetari i Bashkisë Gledian Llatja bashkë me Presidentit e KOKSH z.Fidel Ylli morën pjesë në finalen ku fituese u shpall ekipi i shkollës “Jorgji Dilo”.
Kryebashkiaku Llatja kërkoi të mbahet një minutë heshtje për profesorin e nderuar i cili ndërroi jetë, që sipas tij ishte një nga profesorët më të mirë të fiskulturës. Duke u ndalur tek vëmendja që bashkia i ka dhënë sportit z. Llatja pohoi se “atë që ne kemi si politikën tonë në klubin shumësportësh është mbështetja e vazhdueshme, si për fëmijët në shah, basketboll, volejboll, ping-pong, handboll, futboll për meshkuj. Kemi një sërë sportesh të cilat janë edhe individuale edhe kolektive ku ne i kemi mbështetur vazhdimisht me kampionate, ekipe me mbështetjen e bashkisë dhe qendrës kulturore së fëmijëve. Elbasani tashmë po merr një formë për jetën sportive si shtimi i ambienteve për stërvitje sikur është kjo palestër, së shpejti fillojmë edhe me dy palestra të tjera të shkollës Pedagogjike si dhe Kostandin Kristoforidhi. Urojmë që shumë shpejt të fillojmë edhe me shkollën e Treganit.
Kemi një sërë projektesh për të cilat po punojmë përsa i përket infrastrukturës sportive, por në planet tona është edhe fusha sportive e Gjinarit, ku të gjithë ata që kanë dëshirë që gjatë verës të shkojnë atje në ajër të pastër. Jemi përpjekur vazhdimisht të jemi aktiv si për të rinjt edhe për fëmijët, për të rritur një rini sa më të shëndetshme dhe për një shoqëri të shëndetshme. Qëllimi ynë është që ti largojmë nga veset e këqija si dhe koha që shpenzojnë nëpër telefona duke u ofruar kohë cilësore dhe të shëndetshme duke u marrë me stërvitje.
Ne ju falenderojmë pamasë për të gjithë mbështetjen që na keni dhënë, sidomos me projektin që përfshimë 650 të rinj nga qyteti dhe njësitë administrative pasi ne nuk i kushtojmë vëmendje vetëm qytetit por edhe zonave përreth tij. Atje ku ka rini dhe fëmijë ne u qëndrojmë pranë.
Nga ana e tij z. Ylli falenderoi Bashkinë për përkushtimin që ka ndaj sportit, si edhe qendrën e fëmijëve. “Në bashkëpunim me federatën e hendbollit ne organizuam këtë kampionat, falë edhe mbështetjes së qeverisë e cila na ka dhënë 5 milion dollarë për ekipet sportive në shkolla, nga 9 – vjeçare deri në Universitet. Duke vlerësuar projektin, Ylli shtoi se e kemi nisur nga Elbasani ku tashmë janë ngritur edhe ekipet. Kemi tre muaj që trajnojmë trajnerët si edhe matjen e fëmijëve, për ti treguar opinionit se sporti është cilësi jete, sporti të zhvillon. Ashtu si e ka bërë Elbasani me sportin e hendbollit, por edhe futbolli, ne duam që çdo vit të shtojmë sporte që të bëjmë të mundur që sportin ta fusim në shkollë, ku çdo fëmi të ketë mundësi të zgjedh me detyrim një sport në shkollë.
Sipas z. Ylli, këto janë politikat e Komitetit Olimpika në bashkëpunim me qeverinë, që fëmijët të qëndrojnë larg veseve të këqija si duhani, alkooli, celulari, por ti afrohen palestrave , pasi duke u marrë me sport do të jenë më të devotshëm për veten, familjen, shoqërinë, por edhe vendin. Besoj se shumë shpejt edhe hendbollin do ta fusim në ekipet sportive, që ashtu si kemi basketbollin dhe volejbollin që janë sporte kolektive të kemi edhe hendbollin.