Në 13-jetorin e ndarjes padrejtësisht nga jeta të prokurorit Xhevat Hana familjarët ende shpresojnë për drejtësi. Edhe psr kanë kaluar kaq shumë vite nga koha kur një prokuror në detyrë humbi jetën, çuditërisht ende nuk është zbuluar dora e cila i mori jetën njeriut të drejtësisë.
Vëllai i ish prokurorit Selami Hana shprehet se
“Bishat vrastare, kriminelët gjakpirës të pushtetit që kanë lyer duart me gjak, i morën jetën padrejtësisht në krye të detyrës, vetëm për të mbuluar krimet dhe vjedhjet që kanë kryer në këtë vend dhe mbi njerëzit e pafajshëm”.
Por duket se shpresat për ta nuk kanë vdekur, një dritë jeshile në fund të tunelit ata shohin dhe për këtë mendojnë se SPAK do bëjë diçka, pasi kallzimin dhe të gjitha deklaratat i kanë dërguar tek ky institucion.
“Shpresojmë tek SPAK që të nxjerrë në dritë të vërtetën, ne vëllezërit dhe motrat e Xhevatit jemi shpresëplotë se diçka do të bëhet” u shpreh në mbyllje Selamiu.
Në fakt për këtë ish prokuror shumë pak kanë bërë edhe institucionet edhe pse i rënë në krye të detyrës, në vendlindjen e tij Rrajcë nuk ka asnjë titull apo hapsirë dedikuar këtij njeriu që ngriti lart emrin e zonës me punën e tij, por humbi luftën me botën e errët të krimit.
Xhevat Hana me një karrierë të gjatë në drejtësi ishte një nga prokurorët më të njohur në Shqipëri. Ai njihet si i vetmi prokuror që çoi në gjykatë njerëzit e SHIK-ut të Gazidedes, përkatësisht Arben Sefgjinin, Ilir Kumbaron dhe Avni Koldashin që dyshohet se zhdukën biznesmenin shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha, i cili dyshohet se kishte filmuar takimin trepalësh të ish-presidentit Sali Berisha me homologët e tij në atë kohë Sllobodan Milosheviç të Serbisë dhe Kiro Gligorov të Maqedonisë në Shën Naum.