Policia greke e Selanikut ka publikuar të dhënat dhe fotografitë e 12 të arrestuarve, që akuzohen për vrasjen e të riut 19-vjeçar Alkis Kampanos në lagjen Harilau të Selanikut në datën 1 shkurt.
Midis tyre edhe katër të rinjtë shqiptarë:
Gega Aleksandro, viti i lindjes 2002 në Shqipëri,
Kambo Geraldi, i lindur në 1999 në Shqipëri,
Demirazi Roxheri, i lindur në 2002 në Shqipëri,
Carciu Afksendos, lindur në 1999 në Selanik.
Ky publikim specifik, sipas urdhrit përkatës të Prokurorisë, synon të mbrojë shoqërinë në tërësi, të miturit, grupet e cenueshme apo të pafuqishme të popullsisë dhe të lehtësojë realizimin e pretendimit të shtetit për tërësinë e krimeve të kryera, thuhet në deklaratën për shtyp të policisë.
Alkis Kampanos u vra nga një grup huliganësh në 1 shkurt.
Si autorë të dyshuar janë identifikuar dhe mbahen në policinë e qytetit gjithsej 13 persona, të moshës 20 deri në 25 vjeç.
Ndërsa përshkruajnë se si ndodhi vrasja në rreth 80 sekondat që zgjati sulmi, por edhe para se të vendosnin se ke dhe ku do të sulmonin, ata fajësojnë njëri-tjetrin.
21-vjeçari grek që thuhet se mbante armën e vrasjes, një thikë në formë drapri, deklaron se nuk e ka përdorur dhe i ka rënë nga dora.
Për këtë arsye prokurori ka dhënë urdhër për test ADN për të gjithë të akuzuarit, për të vërtetuar shkallën e përfshirjes së të tyre në krim. Në laboratorët e mjekësisë ligjore vazhdojnë testet laboratorike për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve dhe materialit gjenetik në mjetet vdekjeprurëse.